E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis epoka Putvedev

A do të mundet presidenti i ri Medvedev ti shpëtojë hijes së Putinit?

Presidenti në ikje i Rusisë, Vladimir Putin, dhe pasardhësi i tij, Dmitri Medvedev, kanë premtuar një lidership të dyfishtë harmonik. Por ndërsa Medvedev do të inaugurohet sot si presidenti i ri i Rusisë, mbështetësit e dy liderëve janë bërë gati për një betejë të vërtetë për pushtetin. Në “Sheshin e kuq” të Moskës vazhdojnë përgatitjet për një paradë gjigante ushtarake, e para në 18 vitet e fundit, që do të demonstrojë forcën ushtarake të vendit dhe që do të mbahet të premten, dy ditë pas inaugurimit të pasardhësit të Putinit. E ndërkohë, 1400 km në jug të vendit, kamionët me trupa të armatosura patrullojnë përmes kufirit me Gjeorgjinë ish-republikën sovjetike, e cila është shndërruar në një “kockë” mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qëkur Tbilisi njoftoi qëllimet e tij për t’u anëtarësuar në NATO. Moska pretendon se trupat do të nderohen si përforcim ndaj paqeruajtësve rusë në provincën e shkëputur të Abkhazisë. Zyrtarisht dhe me bekimin e Kombeve të Bashkuara, paqeruajtësit rusë kanë mbajtur armëpushimin në këtë rajon për 14 vitet e fundit, por sipas ligjit ndërkombëtar, Abkhazia është pjesë e Gjeorgjisë. Kjo e fundit, nga ana e saj, kontrollohet nga lideri properëndimor Mikail Sakashvili, i cili merr mbështetje nga këshilltarët ushtarakë amerikanë, në këmbim të besnikërisë së tij ndaj Uashingtonit. Si pasojë, situata ka rezultuar në një përballje të tensionuar mes ushtarëve rusë e atyre amerikanë, për herë të parë që pas fundit të Luftës së Ftohtë. Në Moskë, kërcënimi në rritje i një lufte është shndërruar tashmë në një temë të zakonshme në biseda. Dhe kur Medvedev të ecë sot në tapetin e kuq, përkrah ushtarëve me uniformat historike dhe të hyjë në hollin e famshëm “Andreyevsky” në Kremlin për inaugurimin e tij, ai do të nisë mandatin e presidentit të shënjuar nga konflikti që nga dita e parë. Për shkak të imazhit paksa liberal të tij, Putin po e nxit pasardhësin e vet që të mbajë një qëndrim të ashpër mbi Abkhazinë. Tani që Perëndimi njohu Kosovën, kundër dëshirave të Rusisë, Moska mund të jetë duke përgatitur hakmarrjen e saktë, njohjen de fakto të Abkhazisë. Këtë e përforcoi edhe më shumë letra që Putini i dërgoi dy ditë më parë kryeministrit në largim të Serbisë, Koshunica, ku i premtonte qëndrimin e palëkundur të Moskës, në mbështetje të Beogradit, sa i përket Kosovës. Kështu, sfida e parë e presidentit të ri mund të jetë një test për këtë harmoni të palëkundur mes Putinit dhe Medvedevit. Asnjëherë që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, nuk ka qenë kaq e paqartë se kush do ta thotë fjalën e fundit në vendin më të madh të botës, për nga hapësira territoriale. Do te jetë presidenti Medvedev, siç e kërkon kushtetuta e vendit, apo Vladimir Putin, i destinuar për kryeministër, dhe i ashtuquajturi Cari i Shekullit të 21-të. Një gjë është e sigurt: Në këtë betejë është në lojë kursi i së ardhmes së Rusisë, nëse marrëdhëniet e saj me Perëndimin do të karakterizohen nga konfrontimet apo një bashkëpunim më i ngushtë, nëse vendi do të udhëhiqet nga ligji dhe industritë do të operojnë privatisht, apo kontrolli qeveritar do të fitojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›