Xhorxh Bush u kategorizua si "turist"

Publikimi i të dhënave të numrit të turistëve në vendin tonë bazohet në lëvizjen e të gjithë udhëtarëve vendas dhe të huaj, për udhëtimet që kryejnë jashtë dhe brenda vendit. Pra, e thënë ndryshe, të gjithë grupet e udhëtarëve rezidentë (banorë vendas), që kthehen nga udhëtimi jashtë shtetit për qëllime turizmi dhe udhëtarët jorezidentë (shtetas, banorë të huaj), që largohen nga Shqipëria pas një udhëtimi, regjistrohen si turistë. Të dhënat mblidhen nga pikat kufitare mbi numrin e hyrje-daljeve të udhëtarëve në territorin e vendit tonë dhe më pas prezantohen si turistë të huaj që kanë ardhur në vend. Sipas kësaj logjike, të mbështetur në ligj, edhe Xhorxh Bushi që vizitoi Shqipërinë, i bie të ketë ardhur si turist. Presidenti i SHBA-ve ka hyrë dhe ka qëndruar në Tiranë, pra llogaritë e tij të harxhimeve për fjetje apo ushqim përllogariten si turizëm. Pa shtuar ironinë, ky rast mund të merret si shembull. Kështu, nëse një shtetas nga Kosova vjen në Tiranë për të marrë vizë në ndonjë ambasadë apo edhe për kurim, llogaritet si turist. Qartësisht, duhet që të përcaktohen parametrat apo kategoritë që janë turistë, nënndarjet për pushime apo për kalim nëpër territorin e Shqipërisë.
Shifrat dhe amullia
Pavarësisht metodologjisë që përdorin institucionet shtetërore për paraqitjen e shifrave, mosrakordimi i duhur i tyre del në mungesën e kapaciteteve strehuese të vendit. E thënë ndryshe, pavarësisht nëse përgjegjësia bie mbi dikasterin përkatës, amullia është e dukshme. Kjo, sepse nëse presidenti Bush erdhi për vizitë, sipas ligjit, ai është “vizitor i huaj”, pra turist. Ministria e Turizmit sot ka të regjistruar zyrtarisht si kapacitete akomoduese 36 mijë shtretër. Kurse numri i vizitorëve të huaj, turistëve, përgjatë gjithë vitit 2007 është 2 100 000 persona, por këtu ajo përjashton 1 milion emigrantë, pasi akomodimi i tyre kryhet nga familjarët. Edhe pse ende nuk dihet zyrtarisht ditëqëndrimi i vizitorëve të huaj, në muajin gusht shënohet fluksi më i lartë, numër i cili arrin në 215 120 persona. Po ashtu, në këtë periudhë qëllimi i vizitës së këtij fluksi turistësh paraqitet për pushime. Duke iu referuar të dyja të dhënave zyrtare, si në numrin e turistëve, ashtu edhe të kapaciteteve strehuese ka mospërputhje. Sipas raportit zyrtar të paraqitur nga Ministria e Turizmit (në bazë të shifrave të hyrje-daljeve të marra nga pikat kufitare), rezulton se numri i vizitorëve të huaj për gjithë vitin 2007 ka qenë 2 100 000 persona, të cilët përfshihen në vizitorë të huaj. Nga këto, 1 000 000 janë emigrantë, që në metodologjinë e institucioneve qeveritare llogariten si turistë, por për shkak se ata akomodohen tek të afërmit, nuk përfshihen tek vizitorët e huaj. Duke ndjekur në vijimësi korrektësinë e shifrave zyrtare, rezulton se vizitorët e huaj, të cilët kanë nevojë për akomodimet që ofron vendi ynë, llogariten 1 098 765 persona. Vetëm në muajin gusht, por edhe muaji korrik regjistrohen 201 428 vizitorë të huaj, apo muaji shtator me 95 148 vizitorë të huaj, për të cilët ofrohen 36 mijë shtretër. Sipas një llogaritjeje të thjeshtë matematikore, pavarësisht ditëve të qëndrimit të tyre, rezulton që vendi ynë nuk ofron kapacitet e duhura për akomodimin e këtij fluksi të lartë turistësh. Ndërkaq, në shifrat që paraqiten si vizitorë të huaj janë edhe 131 852 persona të huaj, vizitorët ditorë, pra ekskursionistët, por edhe këtu, pavarësisht qëndrimit të shkurtër të tyre, nuk ka mundësi strehimi.
Qëllimi i vizitës
Nga ana tjetër paraqiten problemet me qëllimin e vizitës së turistëve, ditëqëndrimit të tyre dhe mënyrës së llogaritjes së shpenzimeve, të cilat përfshihen në zërin e të ardhurave të turizmit. Pra, pavarësisht qëllimit të vizitës tyre, vizitorët e huaj klasifikohen si turistë dhe shpenzimet që shteti kryen për fjetje, ushqim dhe shoping, përfshihen në të ardhurat për turizmin. Të ardhurat nga turizmi dalin nëpërmjet vrojtimeve që kryhen në pikat kufitare nga Banka e Shqipërisë dhe Instituti i Statistikave. Vrojtimi ndërmerret me frekuencë tremujore, me një vëllim zgjedhjeje prej 1000 individësh për tremujor, prej të cilëve 500 udhëtarë rezidentë intervistohen në momentin e kthimit nga udhëtimi jashtë dhe 500 jorezidentë intervistohen në momentin e largimit nga Shqipëria. Pra, sipas kësaj metodologjie, për shpenzimet e vizorëve të huaj pavarësisht ditëqëndrimit të tyre, intervistohen 2000 persona në vit, të cilët pyeten për shpenzimet që ata kanë kryer për fjetje, ushqim dhe akomodim. Kjo mesatare e shpenzimeve të këtyre 2 mijë personave shumëzohet me numrin e të gjithë vizitorëve të huaj që hyjnë gjatë vitit në vendin tonë dhe paraqiten si të ardhura për turizmin.