E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guehenno zbut Koshtunicen

Gueno dhe Koshtunica pajtohen në parim për respektimin e Rezolutës 1244

Kryeministri serb, Voisllav Koshtunica dhe nënsekretari i OKB-së për Operacionet Paqeruajtëse, Zhan Mari Guehenno, janë pajtuar se Rezoluta 1244 duhet të respektohet. Gueheno u takua në fillim të kësaj jave me zyrtarë të lartë serbë, me të cilët bisedoi për situatën në Kosovë, me theks të veçantë për zhvillimet në pjesën veriore të vendit pas 17 shkurtit, si dhe lidhur me të ardhmen e UNMIK-ut. Sipas mediave serbe, Gueheno tha se është angazhuar që në pajtim me Beogradin të gjenden zgjidhje praktike në funksion të paqes dhe sigurisë në Kosovë. Koshtunica nga ana e tij deklaroi se “në përputhje me Kartën e OKB-së, Rezolutën 1244 dhe Aktin Final të Helsinkit, Kosova është pjesë përbërëse dhe e patjetërsueshme e Serbisë”. Ai tha gjithashtu, se duhet respektuar Rezoluta 1244, duke theksuar se Misioni i BE-së, EULEX, është i jashtëligjshëm dhe në mënyrë të parregullt i pranishëm në territorin e Kosovës. Lideri serb i tha zyrtarit të OKB-së, se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës janë shkelur rëndë parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe se Serbia nuk do ta njohë kurrë këtë akt të jashtëligjshëm. Në një deklaratë nga zyra e kryeministrit serb në ikje, thuhet se shumica e shteteve anëtare të OKB-së nuk e kanë njohur “shtetin e rremë të Kosovës”, ndërkaq më shumë se 150 shtete njohin Serbinë në kufijtë e saj legalë shtetërorë. Nënsekretari Gueheno tha se Rezoluta 1244 është ende në fuqi dhe se është me rëndësi që në marrëveshje me Beogradin të gjenden zgjidhje praktike, në mënyrë që të sigurohet paqja dhe stabiliteti në Kosovë. Në këtë takim mori pjesë edhe ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç. Nga ana tjetër, sipas burimeve në Nju Jork të agjencisë serbe “Tanjug”, “në Kombet e Bashkuara po shqyrtohet mundësia e legalizimit të misionit të BE-së në Kosovë, duke marrë parasysh qëndrimin e Rusisë për respektimin e rezolutës 1244”. Sipas kësaj agjencie, Kombet e Bashkuara nuk do të lejojnë që EULEX-i të zëvendësojë UNMIK-un më 15 qershor, ditën kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Diplomatë të shteteve më të fuqishme në OKB janë duke zhvilluar bisedime për mundësinë që EULEX-i të zbarkojë në Kosovë, por nën ombrellën e OKB-së. “Bëhet fjalë për bisedimet e para dhe joformale”, citon “Tanjug” burime nga selia e OKB-së. Po ashtu, shefi aktual i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, mund të zëvendësohet së shpejti me një zyrtar tjetër të Kombeve të Bashkuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›