E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahmir Hyka, në Dubai ose në Moskë

Sheikët arabë të Gjirit Persik dhe rusët e Spartakut të Moskës kanë dëshirë ta marrin 20-vjeçarin e Tiranës. Menaxheri që zotëron kartonin e tij do 200 000 euro

TIRANË - Jahmir Hyka kërkohet në jug dhe në veri. Spartaku i Moskës është pretendent për ta marrë talentin e Tiranës, por edhe miliarderë sheikë nga Dubai kanë pëlqesë për lojtarë të tipit si ai. Burime pranë lojtarit pohuan dje për gazetën, se në një ndeshje tani së fundi, Hyka u vëzhgua nga menaxherë që punonin për llogari të Spartakut të Moskës, si dhe për Dubain.

“Sheikët në Dubai nuk kanë problem parash, - mësohet se janë shprehur menaxherët, - ashtu si të gjithë sheikët e tjerë. Madje, ata nuk kanë problem shumë fitoren, barazimin ose humbjen e skuadrës së tyre. Në Dubai ka mentalitet tjetër, të paktën nga pronarët, ata duan më së shumti një skuadër dhe lojtarë që t’i kënaqin me mënyrën e lojës”.

Hyka është një lojtar shumë teknik dhe të tillë janë shumë të pëlqyer nga sheikët e pasur të Gjirit Persik. Përveç futbollistit të Tiranës, në shënjestër mund të jetë vënë edhe lojtari i ri i Partizanit, Elis Bakaj, i  thirrur së fundmi nga trajneri Ari Han në kombëtaren shqiptare për miqësoren ndaj Polonisë.

Vetë Hyka nuk ka pranuar të komentojë të ardhmen e tij, ndonëse vazhdimisht është pyetur nga mediat lidhur me këtë. “Di që kam oferta, - ka thënë ai për gazetën pas ndeshjes ndaj Elbasanit në kampionat (2-1 për Tiranën), - edhe nga Italia, por edhe nga vende të tjera si Rusia. Sidoqoftë, janë menaxherët që merren me këtë punë dhe unë nuk mund të them gjë”.

Ndërsa dy ditë më parë, në një intervistë për “Sport Ekspresin”, Jahmiri deklaroi se “mediat kanë shkruar emra të ndryshëm skuadrash që më kërkojnë, gati-gati deri në Alaskë”, pa dashur të hapej për këtë temë.

20-vjeçari shtatshkurtër është cilësuar si një nga lojtarët më të mirë të brezit të ri në futbollin shqiptar dhe ka shëtitur nga veriu në jug të Evropës. Ai ka qenë tek Rozenborgu në Norvegji, si dhe tek Olimpiakosi në Greqi, madje thuhet se i bëri shumë përshtypje edhe yllit brazilian, Rivaldo, që në atë kohë ishte në klubin e Pireut. Po ashtu, edhe Bakaj vlerësohet lart për talentin e tij. Trajneri Han jo vetëm që i thirri në kombëtare, por rezervoi kohë edhe për një kafe dhe një bisedë me të dy të rinjtë në hotel “Rogner”, dy javë më parë, pasi ndoqi edhe derbin Partizani-Tirana (2-1) në kampionat.

200 000 euro kartoni i Jahmirit

Pista kroate për Hykën duket se nuk do të realizohet. Menaxheri që ka në dorë kartonin e tij dhe që është edhe president i një klubi në Shqipëri ka pretenduar 200 000 euro për ta shitur këtë karton. Nuk dihet se sa do të kërkojë në verë, kur Hyka të përfundojë kontratën me Tiranën. Fillimisht, sipas burimeve pranë lojtarit, këtë karton e kishin norvegjezët, por menaxheri shqiptar e ka blerë për një shumë që nuk bëhet e ditur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›