Maqedonasit kthejnë në Qafë-Thanë 10 vajza shqiptare
QAFE-THANE- Policia maqedonase, gjatë një kontrolli të kryer në objektet e hotelerisë së Gostivarit ka ndaluar rreth 20 femra, të cilat punonin në të zezë. Në aksionin e realizuar nga policia e Gostivarit, mesnatën e kaluar, në afërsi të fshatit Negotinë, në hotelin "Alma Mare", objekt i ndodhur për rreth magjistrales Gostivar-Tetovë, janë hasur 20 femra, të cilat punonin si "valltare" dhe "kameriere". 10 prej tyre nga Shqipëria, ndërsa të tjerat nga Gostivari, Tetova, Shkupi, Kumanova dhe Velesi. Femrat dhe pronari i hotelit janë shoqëruar në stacionin e policisë në Gostivar dhe, pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit, kanë pasuar masat përkatëse. Për 10 vajzat shqiptare është marrë masa e largimit të tyre drejt Shqipërisë nëpërmjet doganës së Qafë-Thanës, duke iu vendosur në pasaportë një vulë 5-vjeçare, si masë dënimi për mosfutjen në Maqedoni për ushtrim të paligjshëm të profesionit, ka sqaruar për "Gazetën Shqiptare", Marjan Josifoski, zëdhënësi i Policisë së Tetovës. Sipas burimeve të policisë maqedonase, vajzat kanë qenë të moshës 25-35 vjeçe, nga qytete të ndryshme, si Elbasani, Gramshi, Rrësheni, Lezha, Tirana e Lushnja.
(e.m/GSH/BalkanWeb)
(e.m/GSH/BalkanWeb)