E Shtunë, 31 Tetor 2026

Televizioni A1, dita e 28-të pa energji

Televizioni A1, dita e 28-të pa energji
Edhe dje energjia nuk u rikthye në Televizionin A1, në ambientet e ish-Kinostudios. Deri tani të gjitha negociatat për të sjellë energjinë në studiot e këtij televizioni kanë dështuar. Përfaqësuesit e KESH, duke zbatuar urdhrat politikë, nuk kanë ndërmarrë asnjë hap para për të zgjidhur problemin e furnizimit me energji të këtij televizioni. Shkëputja e energjisë në Televizionin A1 u bë në 13 dhjetor 2007, pas veprimit antiligjor të drejtuesve të KESH-it, që kërkonin pagimin e faturës afrofe të vendosur në mënyrë abuzive nga faturistët. TVA1 i shleu disa detyrime të papërfillshme një ditë pas ndërprerjes së energjisë, por jo shifrën afrofe, për të cilën ka ngritur një padi një gjykatë ndaj KESH-it. Por KESH-i nuk iu përgjigj këtij veprimi me rilidhjen e energjisë, meqë Televizioni A1 nuk ka pranuar të paguajë vetëm shumat e vëna në mënyrë të qëllimshme në kurriz të tij, nga nëpunësit e KESH-it, që patjetër janë urdhëruar për këto veprime kriminale, në dëm të një biznesi dhe një organi të medias vizive. Drejtuesit e "Spektër" sh.a., përveç ngritjes së padisë gjyqësore ndaj KESH-it, kanë sensibilizuar faktorin politik dhe Shoqatat për Mbrojtjen e Medias, brenda dhe jashtë vendit, për rastin flagrant. Ndëshkimin politik të Televizionit A1 e denoncoi në fund të dhjetorit 2007 edhe PS-ja, e cila e ka komentuar si përpjekje të qeverisë dhe mekanizmave të saj, për të goditur fjalën e lirë dhe gjobitur në mënyrë abuzive sipërmarrjet private. I vetmi që nuk ka reaguar ka qenë KESH-i, duke treguar se ka marrë urdhra politikë për të lënë pa energji televizionin, i cili për këtë rast kërkon edhe dëmshpërblimin 3 mijë euro në ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›