E Diel, 1 Nëntor 2026

Celularët, deri më 15 shtator, tarifat ulen 20 %

Me miratimin e ligjit të ri në Qershor të këtij viti, kompanitë celulare do të jenë të detyruara që nga data 1-15 shtator, të ulin tarifat e telefonisë celulare me 20 %.Lajmin e bëri të ditur Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi gjatë prezantimit të punës 7-mujore të ministrisë së tij. Ndërkaq këtë lajm e ka njoftuar më parë edhe Enti Rregullator i Telekomunikacioneve, i cili ka organizuar edhe një metodologji për uljen e tyre.

Tregu shqiptar deri më tani ka mbajtur rekorde për tarifa të larta celulare. Liberalizimet e tarifave pritet ta sjellin këtë treg në nivelet europiane të tarifave, por kjo vetëm në vitin 2009. sipas ERT-së, një ulje tjetër me 20 për qind do të aplikohet pas disa muajsh. 

Ndërkaq, burime nga transportet bëjnë të ditur se kanë filluar tashmë edhe procedurat për hyrjen në treg të një operatori të katërt celular.

BB: Shqipëria të ulë tarifat celulare

Në muajin Qershor të këtij viti Banka Botërore i bën thirrje Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor të ulin tarifat për shërbimet e telekomunikacionit. “Çmimet e telefonisë në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë tre herë më të larta se në Evropë.

Çmimet janë tre herë më të larta jo vetëm për thirrjet që bëhen nga Shqipëria drejt vendeve të tjera apo brenda vendit, por edhe për telefonatat që vijnë nga jashtë. Një fakt i tillë sipas raportit është më se i dukshëm.

“Nëse merret si shembull një telefonata nga Anglia drejt vendeve të BE-së, ajo është 3 herë më e lirë se një telefonatë po nga Anglia në drejtim të vendeve të Shqipërisë apo të vendeve të tjera të BE-së. Ulja e kostove të tilla mund të jetë shumë e madhe, duke u bazuar në një analizë të infrastrukturës e prodhueshmërisë së vendeve në Evropë dhe në Azinë Qendrore”.

Gjithashtu Banka Botërore bën thirrje për përmirësimin e infrastrukturës së Telekomit e cila do të ndihmojë në integrimin rajonal, si dhe do të ndihmojë bizneset të përballojnë pjesërisht rënien ekonomike në pjesën më të madhe të vendeve të vogla.

Raporti i Bankës Botërore i renditet sektorët e telekomunikacionit dhe atë të energjisë si nga më të rëndësishmit në zhvillimin e biznesit në Shqipëri. Tregu i Telekomunikacionit dhe ai i Energjisë llogariten në rreth 1 miliardë euro, duke qenë së bashku një nga pjesët më të rëndësishme të ekonomisë së vendit.

Metodologjia e uljes së çmimeve

Metodologjia e propozuar nga ERT synon të rregulloj tarifat e interkonjeksionit dhe tarifat e përdoruesve fundorë (abonentëve) për të tre operatorët e shpallur si operatorë me fuqi të ndjeshme në treg, siç është AMC, Vodafone dhe Eagle-Mobile.

Sipas kreut të ERT-së rregullimi i tarifave të interkonjeksionit është parashikuar të bëhet për një kohëzgjatje prej dy vjetësh, ku në çdo gjashtë muaj do të synohet të reduktohen në masën e 9 përqindëve. Kështu, për operatorët e telefonisë së lëvizshme (celularët) vlera maksimale e tarifës për terminimin e thirrjeve në rrjetin e tyre do të pësojë një ulje me 9 për qind për çdo periudhë gjashtëmujore, duke filluar nga vlera 14 lekë për minutë, në 10.55 lekë për minutë.

E gjithë zbritja apo ulja në krye të dy vjetëve, do të synohet që të jetë në masën e 25 përqindëve. "Nga përllogaritja e efekteve të këtij rregullimi, rezulton se do të kemi një reduktim të shpenzimeve të operatorëve të rrjeteve fikse për thirrjet drejt operatorëve celularë me rreth 465 milionë lekë në vitin 2009 në krahasim me vitin 2006",- u shpreh Kopani në fjalën e vet. Për operatorët e telefonisë së lëvizshme ky rregullim është parashikuar të bëhet për përdoruesit me parapagim (Albakarta dhe Vodafone Card), pasi këta përdorues përbëjnë dhe rreth 96 për qind të abonentëve. Nga përllogaritja e efekteve të këtij rregullimi, rezulton se do të ketë një reduktim të tarifave të përdoruesve celularë me efekt në kursimet e shpenzimeve të konsumatorëve 2.5 miliardë lekë më pak sesa në vitin 2006. Nga i gjithë ky rregullim, parashikohet që të ardhurat e AMC-së dhe Vodafone të ulen në masën 14 dhe 11 për qind për secilën prej tyre.

"Albtelekom"

Ulje do të pësojnë dhe tarifat e telefonisë fikse. Kështu, të gjithë abonentët e telefonisë fikse "Albtelekom" në fund të vitit 2009 do të kenë një ulje të tarifave të thirrjeve të tyre në masën nga 24 për qind të telefonave lokale, në 42 për qind të telefonatave kombëtare. E thënë ndryshe, të gjitha telefonat lokale në fund të vitit do të kenë një zbritje nga 0.92 në 07 lekë për minutë. Ndërsa thirrjet kombëtare do të pësojnë një ulje nga 1.81 lekë për minutë që janë aktualisht, në 1.06 lekë. Gjithashtu ulje do të kenë dhe tarifat e thirrjeve ndërkombëtare nga 2.3 lekë për minutë, që janë aktualisht në 1.54 lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›