Skandali me farat e misrit, Gjana merr në mbrojtje kompaninë
Vetëm dy ditë pas skandalit të farës së skaduar të misrit, ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Jemin Gjana tha se kompania, Agro Blend nuk mund të jetë fajtore, në një kohë që ministria është angazhuar tashmë në kryerjen e të gjitha analizave të nevojshme me ekspertë ndërkombëtarë.
Ndërkaq, Gjana tha se pas përgjigjeve të analizave, në rast se kompania del fajtore do të merren masat për dëmshpërblimin e familjeve të dëmtuara, në një kohë që do të merren edhe masa ligjore në lidhje me veprimtarinë e kësaj të fundit.
Skandali i ndodhur dy ditë me parë, në rrethet veriore në Fushë-Arrës, Mat, Peqin e në qytete të tjera, detyroi ministrinë që të ndërmarrë asgjësimin e të gjithë farës së misrit, në një kohë që përgjigjet e analizave do të nxjerrin në pah, problemin e vërtetë, pasi fara e skaduar shfaqi probleme pas mbjelljes së tokës.
Problemi u ngrit nga vetë fermerët të cilët kishin parë se në arat e tyre kallinjtë e misrit ishin komplet pa kokrra, duke hedhur poshtë ditë mundimi e investim. Sipas tyre faji është i farave fallco të shitura nga kompania Agro Blend.