Celularët, shqiptarët shpëtojnë 30 milionë USD
Gjatë vitit të kaluar çmimi i komunikimeve nëpërmjet telefonave celularë pësoi rënie, si pasojë e rregullimit nëpërmjet implementimit të një metodologjie dhe një konkurrence më të madhe në treg. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në raportin vjetor, të paraqitur në Kuvend, thekson se nga efekti i reduktimit të tarifave celulare nëpërmjet metodologjisë, vlerësohet të jetë afërsisht 2.9 miliardë lekë më pak shpenzime në vitin 2008. Rreth 2,7 milionë abonentë kanë përfituar nga ulja e tarifave shifra e së cilës në total shkon në rreth 30 milionë USD. Në raportin e paraqitur nga kreu i AKEP, Ilir Shehu, kjo llogaritje është për të njëjtin konsum si në 2006 për këta konsumatorë. Shpallje si operatorë të ndjeshëm në treg të operatorëve të telefonisë mobile dhe asaj fikse, miratimi i një metodologjie të re për rregullimin e tarifave ka bërë që qytetarët shqiptarë të konsumojnë më pak se sa vitet e tjera. Sipas raportit theksohet se “një masë e rëndësishme ishte reduktimi i tarifave të interkonjeskionit të tre operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg, nëpërmjet implementimit të metodologjive të rregullimit të tarifave”. “Reduktimi i shpenzimeve të operatorëve vendas në vitin 2008 si pasojë e uljes së tarifave të interkonjeksionit të tre operatorëve me FNT, vlerësohet të jetë afërsisht 245 milionë lekë”, thuhet në raportin e AKEP-it (ish-ERT-ja). Ky institucion thekson se tashmë ka 85 celularë dhe afro 10 linja telefonike fikse për çdo 100 banorë në Shqipëri. “Në 1 korrik 2008 numri i përdoruesve celularë arriti në afërsisht 2,5 milionë, një rritje me afërsisht 400 mijë përdorues apo 18 për qind me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Numri i përdoruesve në fund të vitit 2008 vlerësohet të ketë arritur afërsisht 2.7 milionë përdorues”, thuhet në raport. Edhe pse ka një rritje me 15 % të numrit të përdoruesve, ajo vlerësohet se niveli i përdoruesve 85 celularë për 100 banorë, është më e ulëta se mesatarja e vendeve të BE-së, e cila është 100 përdorues për 116 banorë. Raporti vëren se numri i përdoruesve të telefonisë fikse është në ulje. Në vitin 2008, numri i pajtimtarëve të telefonisë fikse arriti në 314 mijë, që është më e madhe se në vendet e BE-së . “Më 1 korrik 2008 numri i pajtimtarëve të operatorëve alternativë në zonat urbane vlerësohet të jetë rreth 50 mijë, që përbën një rritje afërsisht 20% në krahasim me vitin 2007”, thuhet në raportet e AKEP-së. b.h