E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raiffeisen Bank: Në 2008-ën u rritën fitimet

 

Viti 2008 duket se ka qenë një vit i mbarë për “Raiffeisen Bank”. Pavarësisht tremujorit të katërt të 2008-ës, i cili ishte shumë i vështirë për të gjithë industrinë bankare, Raiffeisen International Bank-Holding AG ia doli të arrinte parashikimet e bëra në 2008-ën dhe të ketë një tjetër rezultat rekord fitimi për të gjithë vitin. Fitimi i konsoliduar (pas taksave) u rrit me 17% në 982 milionë euro. Një faktor kyç në këtë rezultat ishin të ardhurat neto nga interesat, të cilat u rritën me rreth 34 për qind në 3.2 miliardë euro. Gati 1.5 miliardë euro të ardhura neto nga komisionet janë më shumë se 20% në krahasim me vitin e kaluar. Fitimi nga tregtimi u rrit me 31 për qind në 168 milionë euro, ndërsa shpenzimet e përgjithshme administrative u rritën vetëm me 21 për qind në 2.6 miliardë euro. “Këto shifra paraprake janë një provë e qartë se modeli ynë i biznesit funksionon edhe në një mjedis tregu jashtëzakonisht të vështirë”, tha Drejtori Ekzekutiv i “Raiffeisen International”, Herbert Stepic. Sipas tij, “ne arritëm të forcojmë në mënyrë të konsiderueshme bazën e depozitave dhe situatën e likuiditetit në tërësi, megjithëse u desh të përballeshim me një rënie të depozitave të klientëve si rezultat i krizës financiare, veçanërisht pas ngjarjeve të shtatorit. Kjo reflekton pozicionin tonë të shkëlqyer në tregun e rajonit dhe shkallën e lartë të besimit që klientët tanë kanë ndaj markës ‘Raiffeisen’”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›