E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, Fullani: 2009 një vit i vështirë

 

Fabiola Çela

Guvernatori Fullani ka pranuar se ky do të jetë një vit i vështirë për ekonominë shqiptare. Këtë vit emigrantët do të dërgojnë më pak para tek të afërmit e tyre në Shqipëri. Financimet e huaja këtë vit do të tkurren si pasojë e krizës globale financiare. Pikërisht rënia e remintancave, ulja e financimit janë dy fushat kryesore ku kriza globale financiare do të japë efektet e saj negative në ekonominë shqiptare. Kështu është shprehur kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në deklaratën e politikës monetare për 6-mujorin e dytë të vitit 2008.
Raporti
Edhe pse sistemi bankar shqiptar nuk është infektuar nga kriza globale e bankave, ky fakt nuk i ka qetësuar shqiptarët. Gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar, shumë konsumatorë të frikësuar nga kriza e bankave në botë u drejtuan drejt sporteleve të bankave që operojnë në tregun vendas për të tërhequr depozitat e tyre. Një fakt i tillë është pranuar edhe nga Banka e Shqipërisë, por gjithsesi paratë e tërhequra nuk kanë qenë në nivele të konsiderueshme. “Muajt e fundit të vitit 2008 u shoqëruan me tërheqjen e një pjese të vogël të depozitave nga sistemi bankar, si pasojë e paqartësisë që shkaktoi në shtresa specifike të popullsisë situata financiare globale. Në terma relativë, këto tërheqje kanë përbërë një pjesë të vogël të bilancit të bankave tregtare dhe nuk kanë ndikuar treguesit e shëndetit të sistemit bankar apo cenuar aftësinë e tij për të kryer rolin e ndërmjetësit financiar”, thuhet në raportin e BSH-së. Por edhe pse sistemi bankar shqiptar nuk u prek nga kriza globale financiare, kjo nuk do të thotë që ekonomia shqiptare i ka “shpëtuar” kësaj krize galoponte. “Ndikimi i krizës botërore në ekonominë shqiptare do të varet si nga intensiteti, ashtu edhe nga kohëzgjatja e saj. Qëndrueshmëria në kohë dhe thellimi i dimensioneve të problemeve të ekonomisë botërore, është një sinjal se ekonomia shqiptare do të përballet me një ambient më të vështirë ekonomik gjatë vitit 2009, i cili mund të shtrojë për zgjidhje një grup tjetër problemesh”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore. Sipas BSH-së, kanalet të cilat ekspozojnë më shumë ekonominë shqiptare ndaj goditjeve të ambientit ekonomik botëror janë rënia e remintancave dhe shtrëngimi i kushteve të financimit. Ndikimi i këtyre faktorëve mund të materializohej në një rritje ekonomike më të ngadaltë gjatë vitit 2009. Por sipas Bankës Qendrore, një rritje më e ulët ekonomike nuk përkthehet domosdoshmërisht në krizë për Shqipërinë, për sa kohë që ajo është një zhvillim i përkohshëm, i diktuar nga faktorë të jashtëm.

Kriza ekonomike, Veliaj takon fasonistët

Kreu i G99, Erion Veliaj tha dje se kriza ekonomike në vend nuk ndodhet kilometra larg, por është pak metra larg unazës së Tiranës. Veliaj vizitoi një prej fasonistëve, i cili i prekur nga kriza ekonomike, ka reduktuar stafin e punëtorëve. “Për çdo naiv, qoftë ky Kryeministri apo çdo pushtetar tjetër që ekziston në Shqipëri, fabrika e mbetur bosh vetëm pak metra larg unazës është dëshmia e qartë që kriza ekonomike është këtu dhe na prekur nga afër të gjithëve. Prej kohësh G99 ka ngritur këtë shqetësim dhe kemi qenë grupi i parë politik që evokuam rritjen e nivelit të sigurimit të depozitave, si një masë e mundshme për të adresuar krizën”, theksoi Veliaj për mediat. Biznesi i fasonëve, i organizuar në dhomat e fasonëve, do të organizojë sot një dëgjesë mbi problemet e fundit që këto biznese po përballen si rrjedhojë e krizës botërore ekonomike dhe uljes së kërkesës së jashtme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›