E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Filumena Marturano”, gati premiera



Sot, në skenën e Teatrit Kombëtar në kryeqytet, do të ngjitet premiera e shfaqjes “Filumena Marturano”. Gjatë dy ditëve të fundit, aktorët Yllka Mujo, Tinka Kurti, Bujar Asqeriu, Vangjel Toçe, Neritan Liçaj, Arben Derhemi, Olta Gixhari etj, kanë zhvilluar provat gjenerale nën drejtimin e regjisorit Albert Minga, i cili është shprehur: “Vepra që do të vë në skenë nuk do të jetë vetëm për të kënaqur shijet e regjisorit, por gjithçka duhet parë në funksion të spektatorit. Nëse nuk ekziston ky përjetim emocional midis sallës dhe spektatorit, atëherë ai do të jetë i ftohtë dhe do ta shohë shfaqjen vetëm për respekt. Por nëse drama dhe hallet që kanë personazhet janë dhe probleme të spektatorit, atëherë ndodh shkrirja e natyrshme midis skenës dhe teatrit”. Një kuriozitet tjetër është se “Filumena” ka qenë roli i mbetur peng për artisten e njohur Tinka Kurti, megjithatë ajo prapë vjen në skenë me këtë shfaqje, megjithëse në një rol tjetër pasi protagonistja (Filumena) mban emrin Yllka Mujo. Aktorja Mujo është shprehur: “Çdo femër ka brenda saj pak nga Filumena, kështu që roli është më i dashur për publikun”. Kujtojmë se “Filumena Marturano” është kryevepra e dramaturgut Eduardo de Filipo. Drama bën fjalë për një ish-prostitutë, e cila jeton prej njëzet e pesë vitesh si një grua, pa qenë e tillë, në shtëpinë e Domeniko Sorianos, një napoletan borgjez dhe i kamur. Ka rritur në sekret të plotë tre fëmijë me tre burra të ndryshëm. Pas një bashkëjetese prej shumë vitesh, Filumena e “detyron” Domenikon të martohet me të zyrtarisht duke bërë gjoja sikur ishte në pragvdekje. Filumena e zbulon arsyen e kësaj “loje”; ajo dëshiron t’u japë një mbiemër fëmijëve të saj, njëri prej të cilëve është bir i Domenikos. Ajo nuk i tregon atij se cili prej tre fëmijëve është i biri në mënyrë që të mos veçohet asnjëri. Në fund, Domeniko bindet se Filumena ka të drejtë dhe vendos të martohet dhe të krijojë familjen e tij të re.

20 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›