E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspozita “Viktimat e komunizmit”, bërthama e pavijonit të munguar

Do të shfaqen për herë të parë fotografi dhe filmime të krimeve të komunizmit. Përvjetori, sot 18 vjet nga rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës në Tiranë

Petrika GROSI
Siç e kemi bërë të ditur gjatë ditëve të mëparshme, një ekspozitë tepër e veçantë dhe mjaft sinjifikative, që lidhet me simbolikën e mbarimit të epokës së komunizmit dhe hyrjes së demokracisë në Shqipëri, do të përurohet sot në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. “Nderimi i viktimave të terrorit komunist”, kështu titullohet kjo ekspozitë që në të ardhmen synon të jetë bërthama e një pavijoni të ri në Muze, sikundër e ka pohuar në deklaratën e tij për median ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango. Nga titulli i ekspozitës vetëkuptohet që vëmendja përqendrohet mbi të kaluarën historike të popullit shqiptar, viktimat e komunizmit, burgjet, torturat etj. Në fakt, ekspozita, për të cilën kanë bashkëpunuar një grup i gjerë specialistësh, historianësh, artistësh, arkivash dhe institucionesh, është e konceptuar mbi katër elementë kryesorë artistikë që natyrisht plotësojnë njëri-tjetrin në funksion të idesë themelore. Elementi i parë i kësaj ekspozite është foto-instalacioni, ndërsa 180 metra linearë do të jenë të mbushura me fotografi origjinale dhe printime. Një element tjetër simbolik është një gardh me tela me gjëmba që arrin përmasat 15 m i gjatë dhe 3 m i lartë. Ky imazh të sjell në mendje burgjet dhe kampet e punës së detyruar ku vuajtën pa të drejtë dënimet e dhëna për arsye politike mijëra të burgosur nga partia-shtet e asaj
kohe. Sipas kuratorëve, gardhi simbolizon njëherësh edhe barrierën e fundit të shoqërisë sonë, mungesën e vullnetit për t’u distancuar nga krimet e së shkuarës. Elementi i tretë i ekspozitës janë projeksionet filmike (kolazhe vizive), të cilat paraqesin përshkallëzimin e dhunës dhe krimeve të komunizmit. Këto materiale gjithashtu publikohen për herë të parë. Dhe elementi i fundit i ekspozitës janë objektet apo sendet e përditshme të të burgosurve. Këto janë dhuruar nga ata ose familjet e tyre dhe dëshmojnë histori të dhimbshme njerëzore.
Sipas zëvendësministrit të Turizmit dhe Kulturës, Ekrem Spahiu, kjo ekspozitë nuk vjen rastësore, por çelet për të nderuar viktimat e sistemit diktatorial si dhe për të tërhequr vëmendjen ndaj krimeve të regjimit komunist. Ai tha: “Ka mëse një muaj që MTKRS-ja ka ngritur grupet e punës me specialistë të institucioneve vartëse të saj si Muzeu Kombëtar, Galeria Kombëtare, Arkivi Qendror i Filmit dhe Komiteti i Kulteve në bashkëpunim me Arkivin e Shtetit, Institutin e Historisë, Institutin e të Përndjekurve Politikë, ATSH-në, Ministrinë e Brendshme, RTSH-në, etj.”. Ndërsa ekspozita në fjalë për herë të parë mundëson për publikun e gjerë foto të vrasjeve që organet e diktaturës shqiptare bënë ndaj atyre shtetasve që u përpoqën të kalonin kufirin në vitet ’88 – ’90, zëvendësministri Spahiu thekson se kjo është një pjesë fare e vogël e krimeve që regjimi komunist kreu në Shqipëri. Kurse ministri Pango tha: “Ekspozita është konceptuar në mënyrë të tillë që përmes efekteve të dritës, zërit e videoprojeksioneve, të përfshijë emocionalisht vizitorët, sigurisht duke u dhënë ndjesinë për të përjetuar vërtet momentet dhe ngjarjet e shëmtuara, po aq dhe reale”.

STATISTIKA TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT

Të pushkatuar: 5548 - (91 femra)

Të burgosur: 14563 - (445 femra)

Të vdekur në burg: 987 - (7 femra)

Të futur në psikiatri: 308 - (35 femra)

Të internuar e dëbuar: 21401 - (9322 femra)

-Gjithsej të pushkatuar dhe të vdekur në burgjet e komunizmit numërohen 6535 viktima. Po kështu, u pushkatuan dhe vdiqën në burgje 120 klerikë katolikë, 83 klerikë bektashinj, 60 klerikë myslimanë dhe 39 klerikë ortodoksë, ndërkohë që u shkatërruan dhe u mbyllën 2169 institucione fetare, mes të cilave 740 xhami, 608 kisha ortodokse, 157 kisha dhe manastire katolike dhe 530 teqe e tyrbe.

20 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›