Prefekti i Tiranës i refuzon firmën buxhetit të Bashkisë
Prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi ka refuzuar të firmosë buxhetin e Bashkisë së kryeqytetit për vitin 2009. Ai deklaroi dje se në buxhet ka konstatuar shkelje që bien ndesh me funksionet e pushtetit lokal. “Shefi im është ligji, veprova krejtësisht në përputhje me të”, u shpreh Keçi. Sipas tij, buxheti bie ndesh me disa nene të veçanta të ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor në Shqipëri. Prefekti sqaroi se një rezervë që ka shprehur më parë është dhe mënyra e votimit në Këshillin Bashkiak. “E ktheva buxhetin, pasi konstatova shkelje të tij në 5 nene. Konstatova shkelje që bien ndesh me funksionimin e Pushtetit Vendor. Nëse buxheti i Tiranës kalohet pa ndryshime, atëherë do të padis Bashkinë”, deklaroi Keçi. Ai mohoi akuzat se veprimi që kreu është i motivuar politikisht, duke shtuar se i është përmbajtur ligjit për çdo vendim të marrë. Gjithashtu, sipas prefektit, projekti i ardhur në tavolinën e tij nuk pasqyron fondet e mbartura në vitin 2008. Nga sa saktësoi prefekti, ligji përcakton detyrimisht rikthimin e buxhetit në Këshillin Bashkiak. Ky i fundit duhet ta rimarrë sërish në shqyrtim atë. Pr/buxheti i Bashkisë së Tiranës u votua me 29 vota pro në Këshillin Bashkiak, përmes debateve të shumta pak ditë më parë. Por Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e njohën votimin, duke e cilësuar si të parregullt. Bashkia e Tiranës ka reaguar pas refuzimit që prefekti Ruzhdi Keçi i bëri projektbuxhetit të Tiranës për vitin 2009. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Bashkisë së Tiranës. Nënkryetari i saj Eduard Shalsi e ka cilësuar veprimin e prefekti pa asnjë bazë juridike, por të nxitur nga një logjikë politike. ”Ky veprim po shqyrtohet nga bashkia por ajo që duket qartë tani është se nuk kemi të bëjmë me logjikën e ligjit”, tha Shalësi. Miratimi i buxhetit të Bashkisë merr fuqi ligjore, pasi është konfirmuar për bazueshmëri ligjore nga Prefekti i Qarkut. Buxheti i Tiranës, pasi miratohet nga Këshilli Bashkiak i kalon prefektit për firmën përfundimtare që mundëson dhe lëvrimin e fondit. Në kushtet aktuale, buxheti mbetet i bllokuar. z.ll