Kushtetuesja rrëzoi ALUIZNI-n
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar nenet kryesore të ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, dhe pikërisht nenet që kishin të bënin me kompetenca që Agjencia shtetërore ALUIZNI, ia kishte marrë pushtetit vendor. Në këtë mënyrë, ky ligj bëhet i pazbatueshëm dhe kërkon një riformulim të tij në shumicën e neneve. Gjykata me 5 vota pro dhe 4 kundër i dha të drejtë pjesërisht kërkesës së socialistëve, duke rrëzuar ato kompetenca të ALUIZNI-t, i cili gjatë procesit të legalizimeve ia kishte marrë pushtetit vendor. Nëpërmjet nenit 17, ligji i ri përcaktonte që “leja e legalizimit është e barazvlefshme me lejen e shfrytëzimit”, duke futur në konflikt pushtetin me kompetencat që atij ia jep kushtetuta. Gjithashtu ligji cenonte rregullimin kushtetues të parashikuar në nenin 113, pika 1, shkronja c, sipas të cilit pushteti vendor ka të drejtë të mbledhë dhe të shpenzojë të ardhurat që janë të domosdoshme për ushtrimin e funksioneve të tyre.