Celulari i katërt, brenda vitit
Brenda vitit 2008 do të kemi në treg operatorin e katërt celular. Ky projekt i Entit Rregullator të Telekomunikacioneve shpejt do të shoqërohet me një vendim qeverie për të hapur tenderin. Edhe kësaj radhe premtohet se operatori i katërt do të dalë në treg me tarifat më të lira se tre operatorët e tjerë, duke marrë si pikë referimi çmimet që ofron sot “Eagle Mobile”. Kompani të mëdha europiane, franceze, gjermane, por edhe biznesi vendas, ka shfaqur interes për të qenë në treg me operatorin e katërt. Edhe dje në mbledhjen e qeverisë u diskutua prej kryeministrit Berisha mundësia e hapjes së operatorit të katërt celular në vend, në një kohë që Ministria e Telekomunikacionit po punon prej kohësh për këtë çështje. Licenca e re do t'i nënshtrohet ligjit të ri të komunikimit elektronik, i cili ka hyrë në fuqi. Pjesë e ligjit është edhe metodologjia, e cila përcakton tarifën mesatare për minutë. Sipas kësaj metodologjie, dy operatorët celularë duhet të ulin çmimet në treg me 40 për qind.
Celularët e administratës shtetërore, gati tenderi për tarifën më të lirë
Në mbledhjen e javës së kaluar të qeverisë, kryeministri Berisha kërkoi nga ministri i Transporteve, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, hapjen e tenderit për përzgjedhjen e operatorit të telefonisë celulare që do të ofrojë shërbimin më të lirë për administratën shtetërore. Sipas Berishës, "është e domosdoshme hapja e tenderit për përzgjedhjen e operatorit të telefonisë celulare për abonimin e administratës shtetërore. Kompania që do të ofrojë çmimin më të leverdishëm do të ketë abonentë të gjithë punonjësit e administratës që dëshirojnë". Po kështu, kreu i qeverisë propozoi që në këtë paketë të administratës të përfshihen edhe ndërmarrje të tjera publike. "Në administratën shtetërore mendoj të përfshihen dhe ndërmarrjet publike, korporatat, pushteti vendor dhe të bëhet një paketë tërheqëse për të marrë tarifat më të leverdishme. Tani janë tre operatorë të telefonisë celulare në vend, më vonë do të jenë dhe më shumë, por dhe ne si qeveri duhet të synojmë të abonohemi në atë kompani që ofron tarifën më të ulët", - deklaroi Berisha.
19 Qershor 2008