E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, financimi për fëmijët e përfaqësuesve diplomatikë



Këshilli i Ministrave vendosi dje, se si do të financohen për arsimimin fëmijët e përfaqësuesve diplomatikë shqiptarë në shtetet e huaja. Gjithashtu, Qeveria ka përcaktuar kriteret, kushtet dhe mënyrën e financimit për arsimin, e detyrueshëm dhe të mesëm, të fëmijëve të personelit, të emëruar në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë në shtetet e huaja. Sipas vendimit të qeverisë, shpenzimet e shkollimit të fëmijëve të personelit të përfaqësisë diplomatike, në vendet ku shkollimi publik, i detyrueshëm dhe i mesëm, është me pagesë, do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Punëve të Jashtme, deri në përfundim të arsimit të mesëm. Ndërsa shpenzimet e shkollimit të fëmijëve të personelit, të emëruar në përfaqësitë diplomatike, në vendet, ku kushtet e ushtrimit të detyrës përballen me vështirësi të veçanta, ose ku sistemi shkollor zhvillohet në gjuhë të ndryshme nga gjuhët e huaja, që mësohen në sistemin arsimor shqiptar, do të përballohen pjesërisht nga buxheti i përfaqësisë, kur shkollimi i fëmijëve bëhet në shkolla ndërkombëtare private, të njohura, të licencuara apo homologuara nga autoritetet vendase. Kërkesa e nëpunësit për mbulimin e shpenzimeve të arsimimit në institucionin arsimor privat i drejtohet ministrit të Punëve të Jashtme së bashku me një kopje të licencës së institucionit, lëshuar nga organet kompetente të vendit, dhe me vërtetimin origjinal nga ky institucion, për koston e shkollimit, me hollësitë përkatëse. Pas miratimit të kërkesës nga Ministri, në bazë të dokumentacionit të paraqitur prej nëpunësit të emëruar, përfaqësia, nga buxheti i vet, përballon shpenzimin deri në shumën 250 euro ose 250 USD në muaj, për çdo fëmijë, deri në përfundim të arsimit të mesëm. Në raste të veçanta, kur, me dokumente, vërtetohet se shuma e parashikuar, është më e vogël, se 50 për qind e shpenzimit mujor për shkollim për fëmijë, me urdhër të ministrit të Punëve të Jashtme mund të përcaktohet një vlerë më e lartë, deri në 50 për qind të kostos së shkollimit.

19 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›