E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo “rrëzon” rektorët për kompetencat e kancelarit



Jonida Tashi
Kreu i arsimit Genc Pollo, ka “rrëzuar” kërkesën rektorëve për kompetencat e kancelarit. Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e ditës së djeshme, miratoi propozimin e ministrit të Arsimit për kancelarin universitar. Ndërkohë që rektorët e universiteteve publike e kundërshtuan që në fillim këtë vendim, pasi ai i jep kancelarëve më shumë kompetenca nga sa u njeh ligji. Pikërisht për këtë çështje, ata i bënë apel Kryeministrit Sali Berisha ta kthente mbrapsht projektvendimin, pasi në të kundërt do t’i drejtoheshin organeve të drejtësisë. Përballë kësaj situate, rektorët e universiteteve akuzuan ministrin Genc Pollo, se po kërkon të kontrollojë e drejtojë edhe universitetet. Ndërsa sipas Ministrisë së Arsimit, vendimi i Këshillit të Ministrave për kancelarin është një hap përpara drejt një menaxhimi më të mirë dhe më transparent të Institucioneve publike të Arsimit të Lartë (IAL), dhe përbën edhe një ndër synimet kryesore të ministrisë në këtë sektor. Sipas këtij vendimi, kancelari universitar bashkëpunon ngushtë me rektorin, titullarin e Institucionit, por ka edhe përgjegjësi e detyra ndaj MASH-it.
Vendimi
Vendimi i Këshillit të Ministrave ka përcaktuar të drejtat, detyrat, procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit të kancelarit të Institucioneve publike të Arsimit të Lartë. Kështu, sipas këtij vendimi, kancelari i (IAL) është autoritet në përbërje të Rektoratit të Institucionit publik të Arsimit të Lartë. Në përmbushje të funksionit të tij si përfaqësues i autoritetit shtetëror në (IAL), ai kryen detyrat e mëposhtme: Drejton veprimtarinë e administratës së Institucionit; Realizon administrimin financiar të Institucionit; Drejton planifikimin dhe realizimin e investimeve të Institucionit; Mbikëqyr të gjitha procedurat e marrjes në punë; Drejton procedurat e marrjes në punë dhe të vlerësimit të performancës së punonjësve administrativë të Institucionit; Me autorizim të rektorit, përfaqëson ose bashkëpërfaqëson Institucionin në të gjitha proceset gjyqësore apo zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me palët e treta, persona fizikë ose juridikë; Kryeson sekretariatin teknik që mbështet veprimtarinë e Këshillit të Administrimit (më poshtë KADM) të Institucionit; Mbikëqyr zbatimin e ligjshmërisë në veprimtarinë e Institucionit.
Emërimi
Fillimisht Këshilli Administrimit (KADM) miraton kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për kancelar të Institucionit. Më pas, Institucioni shpall publikisht për dy javë kalendarike, vendin e punës dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për kancelar. Institucioni shpall fillimin e vlerësimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve në rast se janë paraqitur së paku tre kandidatura. KADM harton skemën e vlerësimit të kandidatëve, e cila përshkruan në mënyrë të detajuar mënyrën e vlerësimit të tyre duke u bazuar në ligjin nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”. Përveç vlerësimit të dosjes, ajo mund të parashikojë edhe intervistë para KADM. Çdo anëtar i KADM bën vlerësimin e tij me shkrim, sipas skemës së miratuar, për çdo kandidat, dhe në fund bëhet shuma e pikëve të grumbulluara, mbi bazën e së cilës shpallet renditja me pikë e kandidatëve. KADM ka të drejtë të përzgjedhë me votim të fshehtë njërin nga tre kandidatët që kanë grumbulluar më shumë pikë. Fitues shpallet kandidati që merr 2/3 e votave të anëtarëve. KADM pasi bën përzgjedhjen e kandidatëve, shpall publikisht kandidaturën fituese. Kandidatët kanë të drejtë të ankimojnë vendimin e KADM, vetëm në lidhje me procedurën e vendimmarrjes, brenda tre ditëve nga dita e shpalljes së tij. Ankesat depozitohen në protokollin e Institucionit. Gjithashtu, KADM ka për detyrë të shqyrtojë ankesat në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative dhe t’u përgjigjet atyre me shkrim.

19 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›