E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullat e reja për licencimin e farmacive



Emanuela Sako

Ndryshojnë procedurat për licencimin e farmacive dhe disa kategorive të tjera të licencave për ushtrimin e aktivitetit privat në fushën e shëndetësisë. Vendimi më i fundit i qeverisë ka miratuar projektligjin e hartuar nga Ministria e Shëndetësisë,
për procesin e decentralizimit për licencimin e aktivitetit privat në fushën e shëndetësisë. Në bazë të këtij vendimi, kompetencat për hapjen e farmacive në rrethe, i kalojnë Drejtorive Rajonale të Rretheve përkatëse. Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë, disa aktivitete të tjera të rëndësishme siç janë fabrikimi i medikamenteve, import – eksportin dhe tregtimin e barnave narkotike dhe substancave psikotrope. Të gjithw personat që duan të hapin një farmaci në një nga qytetet e vendit, duhet të kryejnë procedurat e licencimit dhe të regjistrimit në Drejtoritë e Shëndetit Publik në Rrethe. Këto drejtori, do të mbajnw përgjegjësi dhe do të ushtrojnë kontrolle për farmacitë e licencuara, në rrethet përkatëse.
Procedurat
Personat, vendas dhe të huaj që duan të ushtrojnë veprimtari private në fushën e shëndetësisë, i nënshtrohen procesit të licencimit për ushtrimin e aktivitetit. Vendimi i qeverisë, përcakton se disa aktivitete në fushën e shëndetësisë, do të licencohen nga Drejtoritë e Shëndetit Publik në rrethe. Kështu, për licencimin e aktivitet privat në fushën e shëndetësisë, zbatohet procedura e autodeklarimit, duke u dorëzuar “Formulari i Autodeklarimit”. Ministri i Shëndetësisë, miraton “Formularin e Autodeklarimit” për secilin aktivitet në fushën e shëndetësisë. Ky formular, do të dorëzohet nga subjekti pranë institucioneve shëndetësore. Institucioni shëndetësor, i përcaktuar, sipas rasteve përkatëse se për çfarë subjekti bëhet fjalë, brenda 20 ditësh, nga dorëzimi i “Formularit të Autodeklarimit”, kryen inspektimin për verifikimin e kushteve të ambientit si dhe autodeklarimit të bërë nga subjekti. Nëse rezultati i inspektimit përputhet me autodeklarimin e subjektit, lëshohet “Akt Miratimi Provizor”, i cili është i vlefshëm për një periudhë 10 ditore deri në përgatitjen e dokumentit që e shpall veprimtarinë të licencuar. Nëse brenda 20 ditësh nga dita e dorëzimit të “Formularit të Autodeklarimit”, institucioni shëndetësor i ngarkuar, nuk shprehet, veprimtaria quhet e miratuar.
Heqja e disa kërkesave
Procedurat për hapjen e një aktiviteti privat në fushën e shëndetësisë, spital, farmaci etj, janë lehtësuar, duke ulur numrin e disa kërkesave nga autoritetet. Prej një viti, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në kuadrin e reformës rregullatore, në bashkëpunim me grupin “Task Forcë” është rënë dakord për të heq mjaft nga kërkesat e përcaktuara për licencimin për aktivitet privat. Ndër kërkesat që hiqen janë, akti pronësisë dhe kontrata e qerasë,
detyrimi për anëtarësimin në shoqatat e profesionistëve, si dhe
vërtetimet nga gjykata, prokuroria e përmbarimi. Kërkesa për hapjen e një aktiviteti privat në fushën e shëndetësisë me këtë vendim kthehet në një formular autodeklarimi. Në bazë të këtij formulari do të jepen të dhënat, ku në në pjesën e parë deklaron gjeneralitetet, llojin e aktivitetit që kërkon të ushtrojë, adresën e ushtrimit të aktivitetit, numrin e certifikatës së regjistrimit tatimor, lejen e ushtrimit të profesionit nga urdhrat e profesionistëve. Ndërsa, në pjesën e dytë deklaron zbatimin e gjithë kritereve të përcaktuara nga Ministri i Shëndetësisë për ambientin, aparaturat, pajisjet. Po kështu, në pjesën e tretë deklaron se subjekti njeh dhe zbaton aktet ligjore dhe nënligjore në fushën ku do të kryej aktivitet privat si dhe mban përgjegjësi të plotë për çka ka deklaruar në këtë formular.

Box
Çfarë të rejash sjell ky projektligj?

Tregtimi me shumicë i barnave do të miratohet jo më nga Komisioni i Licencimit në MSH por nga Drejtoritë e Shëndetit Publik nëpër rrethe.

Vendoset parimi i autodeklarimit të subjektit që kërkon të ushtrojë aktivitet në fushën farmaceutike

Kriteret që duhet të plotësojë subjekti do të miratohen me VKM ndërsa modeli i autodeklarimit do të miratohet nga Ministri i Shëndetësisë.

Vendoset parimi i miratimit të heshtur pra nëse autoriteti i autorizuar nuk jep miratimin ose mosmiratimin e veprimtarisë për një periudhë 20 ditore nga paraqitja e autodeklarimit atëherë kjo veprimtari konsiderohet e miratuar

Është reduktuar eksperienca e punës për drejtuesin teknik të shpërndarësit farmaceutik nga 2 ( ligji i vjetër) ne 1 ( propozuar)

Është reduktuar eksperienca e punës për drejtuesin teknik të farmacisë nga 3 ( ligji i vjetër) ne 1 ( propozuar)

Farmacisti pajiset me lejen e ushtrimit të profesionit nga Urdhri i Farmacistit

Veprimtaria e farmacive do të miratohet jo më nga Komisioni i Licencimit në MSH por nga Drejtoritë e Shëndetit Publik nëpër rrethe, edhe këtu mbështetur në parimin e autodeklarimit të subjektit

Është hequr lëshimi i lejeve të importit për barnat e regjistruara e cila jepej nga QKKB. Projektligji parashikon kryerjen e procedurave të importit pranë zyrave doganore të hyrjes dhe mbi bazën e regjistrit të barnave të botuar.

Duke qenë se procesi i licencimit bëhet me autodeklarim funksioni për marrjen e masave për kundravajtjet administrative dhe heqjen e licencës ( këtë funksion në ligjin në fuqi e ka Komisioni i Licencimit)i ngarkohen inspektorëve farmaceutikë.

Është projektvendimi për miratimin e veprimtarisë private në fushën e shëndetësisë

Edhe ky projektvendim është propozuar në zbatim të reformës rregullatore për lehtësimin e procedurave të dhënies së licensave, lejeve, autorizimeve nga MSH

Licencimi nga DSHP

Hiqen disa nga kërkesat që i kërkoheshin subjekteve sipas vendimit të mëparshëm si:

Akti i pronësisë dhe kontrata e qerasë

Vërtetimi nga gjykata, prokuroria dhe përmbarimi

Vendoset parimi i autodeklarimit dhe miratimit të heshtur për të gjithë veprimtaritë në fushën e shëndetësisë.

Formulari i autodeklarimit miratohet nga Ministri i Shëndetësisë.

Kërkesat që hiqen
Hiqet akti pronësisë dhe kontrata e qerasë
Hiqet detyrimi për anëtarësimin në shoqatat e profesionistëve
Hiqen vërtetimet nga gjykata, prokuroria e përmbarimi

19 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›