Qeveria zyrtarizon amerikano-zviceranët si fitues të “ARMO”-s
Kryeministri Berisha shpalli zyrtarisht Konsorciumin amerikano-zviceran “Rafinery of Texas, Mercuria Energy Group, Anika Enterprise” si fituese të tenderit të kompanisë së prodhimit të naftës “ARMO”. Qeveria miratoi dje në mbledhjen e saj të radhës raportin përfundimtar të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të Ministrisë së Ekonomisë Energjetikës dhe Tregtisë. “Ky konsorcium solli një ofertë 13 herë më të lartë se 4 vjet më parë”, - tha kryeministri duke e vlerësuar si dëshmi për kredencial shumë herë më të lartë të kësaj qeverie në krahasim me qeverinë paraardhëse. Kryeministri në mbledhjen e qeverisë e cilësoi privatizimin e “ARMO”-s në vlerën e 128 milionë eurove si një ndër privatizimet më të suksesshme të këtyre viteve. Pak ditë më parë konsorciumi mori vlerësimet maksimale nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës.
Menaxhimi i sistemit buxhetor nis diskutimin në komisionet kuvendore
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave, miratoi projektligjin "për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë". Sipas specialistëve të financave publike pranë Ministrisë së Financave, domosdoshmëria e hartimit të një ligji të ri organik të buxhetit lindi nga nevoja për përmirësimin e procesit të menaxhimit të shpenzimeve publike, përmes mbështetjes buxhetore, në bazë të programeve e performancës dhe për përafrimin e legjislacionit me “acquis comunautaire” e me kodin për transparencën fiskale të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Specialistët vlerësojnë se hartimi i këtij projektligji synon ngritjen e një themeli procedural për një lidhje më të mirë të buxhetit me politikat, përmes institucionalizimit të programit buxhetor afatmesëm, si dhe ndarjen e qartë të përgjegjësive dhe llogaridhënies së aktorëve pjesëmarrës në procesin e menaxhimit të shpenzimeve publike.
BB-ja kërkon pjesëmarrje të biznesit shqiptar në projekte
Banka Botërore u bën ftesë kompanive shqiptare të jenë pjesëmarrëse aktive në tenderat që zhvillohen me financimet e saj. Për këtë vit portofoli i bankës është rreth 300 milionë dollarë dhe projektet kryesore që do të realizohen me to i përkasin infrastrukturës. Përfaqësuesja e Bankës për Shqipërinë tha në një aktivitet për prokurimet të organizuar me mbështetjen e Dhomës së Tregtisë të Tiranës, Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Shoqatës së Ndërtuesve Shqiptar, se pa bashkëpunimin me privatët projektet nuk kanë kuptim. "Ju jeni partneri kryesor në zbatimin e asistencës së Bankës për Shqipërinë dhe pa ju kjo asistencë nuk do të kishte kuptim. Jeni ju që siguroni që fondet tona të përdoren me konkurrencë dhe kjo sjell edhe efikasitet në harxhimin e parave. Ne jemi të fokusuar në luftën antikorrupsion dhe prokurimet janë temë e rëndësishme. Rregullat e tyre nuk duhet t’i shihni si pengesa, por si një mundësi për të rritur standardet", - tha Camille Nuamah, përfaqësuese e Bankës Botërore për Shqipërinë. BB-ja është duke zhvilluar në Shqipëri 16 projekte, me vlerë totale 266 milionë USD, që shtrihen në fusha të ndryshme, si në infrastrukturat rurale dhe sekondare, energjetikë, ujësjellës-kanalizime etj. Ndër përfituesit kryesorë të fondeve më të mëdha të BB-së për projekte të ndryshme janë Fondi Shqiptar i Zhvillimit, METE, KESH etj.
19 Qershor 2008