Sihariqi, tarifat e celularëve, deri në fund të vitit, 20 për qind më të lira
Ervin Koçi
Deri në fund të këtij viti shqiptarët do të arrijnë që të paguajnë më pak para për bisedat telefonike si në celular, ashtu edhe në telefonat fiks. Më në fund qeveria duket se e ka kthyer vëmendjen në një prej problemeve më shqetësuese për konsumatorin shqiptar, tarifat e telefonisë. Kjo edhe për faktin se asaj i është dashur që të paguajë më tepër shpenzime për faturat e telefonisë edhe për punonjësit dhe dikasteret shtetërore. Nisur nga kjo, qeveria “Berisha” ka vendosur që të kursejë, por jo duke e mbajtur dorën në lidhje me buxhetin e shtetit, por duke ua marrë këtë kursim kompanive të telefonisë në vend, të cilat deri tani kanë siguruar me çmimet e larta fitime të majme. Nisur nga kjo, Këshilli i Ministrave miratoi dje propozimin e Entit Rregullator të Telekomunikacionit për ndërhyrje dhe rregullim të tarifave të shërbimit telefonik. Sipas propozimit të ERT-së, vetëm në fund të vitin 2008 tarifat e telefonisë do të ulen në masën 20 për qind, ulje kjo e cila do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. Për të gjitha kompanitë e telefonisë fikse, por edhe asaj mobile (GSM), tarifat e shërbimit në vitin 2009 duhet të ulen në masën 39 për qind.
Tarifat
Në vendimin e djeshëm të qeverisë, me miratimin e Metodologjisë së Rregullimit të Tarifave të Organizmave me Fuqi të ndjeshme në treg, si “Albtelekomi”, “Vodafone - Albania” dhe “AMC”-ja, këtyre të fundit u del si detyrë që të rishikojnë tarifat e çmimeve të tyre për shërbimet me abonentët. Sipas platformës së paraqitur në Parlament dhe në qeveri nga ERT-ja, kompanive të telefonisë fikse dhe asaj celulare në vend u del si detyrë që në vitet e ardhshëm të bëjnë zbritje të çmimeve me nga 20 për qind çdo vit. Metodologjitë e mësipërme parashikojnë reduktimin e shpenzimeve të konsumatorëve me 20 për qind brenda vitit 2008 dhe një reduktim mesatar të mëtejshëm me 20 për qind brenda vitit të ardhshëm. Kjo do të sjellë një ulje mesatare në total prej 36 përqindësh në vitin 2009, në krahasim me shpenzimet aktuale. Vendimet e mësipërme kanë për qëllim që tarifat e vendosura nga operatorët me fuqi të ndjeshme në treg të jenë të orientuara drejt kostos, të jenë transparente, të mos jenë diskriminuese dhe të garantojnë trajtim të barabartë për operatorët dhe pajtimtarët.
Tregu
Tregu i telekomunikacioneve në Shqipëri do të njohë zhvillime shumë të rëndësishme në muajt dhe vitet e ardhshme. Ky ka qenë deklarimi i kryeministrit Berisha, i bërë dje gjatë diskutimit për uljen e tarifave të telefonisë, në mbledhjen e qeverisë. Sipas kryeministrit Berisha, “ky vendim është kusht për respektimin e konkurrencës së lirë në treg dhe do të ndikojë në uljen e çmimit të impulseve”. Ai shtoi se pas një pune të madhe Enti Kombëtar i Telekomunikacionit dhe Frekuencave ka sjellë për miratim metodologjinë e rregullimit të tarifave, të organizimit të operatorëve me fuqi të ndjeshëm në treg, ku përfshihen jo vetëm celularët, por edhe Albtelekomi. “Po bëhet një përpjekje e madhe që tregu të vijë në parametrat e tij. Ardhja në këto parametra do të thotë ulje e ndjeshme e çmimit të impulseve elektronike. Kjo nuk është ndërhyrje në treg, por një kusht që të respektohet konkurrenca e lirë dhe e ndershme dhe jo marrëveshja e sipërmarrjeve, sepse ato nuk i lejon tregu i lirë”, - tha kryeministri. Por sipas kreut të qeverisë, ky do të jetë vetëm fillimi, se me disa ndërhyrje që bëhen në tregun e telekomunikimit, falë ligjit të ri që i bën të mundura ato, gjatë muajve të ardhshëm, edhe ky treg do të njohë zhvillime shumë pozitive.
19 Qershor 2008