E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grada “Doktor”, afati për punimet deri më 31 dhjetor 2008



Të interesuarit e regjistruar për të marrë gradën “Doktor” duhet ti paraqesin punimet e tyre në fakultetet përkatëse brenda datës 31 dhjetor 2008. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u miratuan edhe disa ndryshime për vendimin “Për hapjen e programeve të studimit të doktoratës, në institucionet publike të arsimit të lartë dhe përcaktimin e kushteve që duhet të plotësojë studenti, për marrjen e diplomës për gradën shkencore “Doktor”. Ky vendim parashikon edhe një pjesëmarrje më të madhe të profesoratit të fakulteteve në shqyrtimin e punimetvetë doktoratës, përpara mbrojtjes së tyre në Juri ose Komision, si një parakusht i rëndësishëm për rritjen e cilësisë së doktoratave. Hyrja në fuqi e vendimit në dhjetor 2007, i gjeti një numër të madh doktorantësh në fazën e fundit të studimeve të doktoratës. Ky grup i doktorantëve kishte plotësuar kriteret dhe detyrimet që parashikonte vendimi i mëparshëm dhe nuk kishte kohë të mjaftueshme për të plotësuar edhe kriteret e tjera që parashikonte vendimi i ri, lidhur me botimet dhe referimet shkencore. Sipas Ministrisë së Arsimit, ndryshimet e miratura synojnë t’i krijojnë mundësi grupit të doktorantëve të regjistruar deri më 31 dhjetor 2005 të përfundojnë studimet e doktoratës, duke ndjekur procedurën e re që parashikon vendimi si dhe punimet të dorëzohen në dekanat deri më 31 dhjetor 2008. Kandidatët e tjerë të regjistruar pas datës 1 janar 2006 i përfundojnë studimet e doktoratës në bazë të programit të studimeve me të cilin i kanë filluar ato dhe duhet të plotësojnë edhe kërkesat për botimet dhe referimet që duhet të realizojnë kandidatët përpara mbrojtjes së disertacionit. Ky grup kandidatësh ka kohën e mjaftueshme (mbi 1 vit) për të plotësuar këto kërkesa.

19 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›