E Diel, 1 Nëntor 2026

Celulari i katërt, më 23 janar do të çelet tenderi për operatorin e ri



Ervin Koçi

Futja në tregun vendas e kompanisë së katërt të telefonisë celulare pritet të sjellë dhe një ulje të re të tarifave të këtij shërbimi me rreth 10 lekë për minutë. Metodologjia e re, si dhe rritja e konkurrencës në treg do t‘u krijojë mundësi të tjera shqiptarëve që të flasin akoma më lirë. Kompani ndërkombëtare nga më të njohurat në telefoninë celulare kanë shprehur interes për të marrë licencën e katërt në tregun shqiptar. Kreu i Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, i njohur si “AKEP”, Ilir Shehu, ka thënë për mediat se pjesë e interesit janë edhe sipërmarrës shqiptarë, të cilët mund të krijojnë ndërmarrje apo konsorciume të përbashkëta me të huajt. Me futjen në treg të celularit të katërt autoritetet synojnë që të sjellin ulje të mëtejshme të tarifave të shërbimit të telefonisë së lëvizshme. Fituesi i licencës së katërt celulare do të shpallet më 23 janar 2009 dhe afati i hyrjes në treg do të përcaktohet një vit më pas. Në Shqipëri raportohet të jenë 2.3 milionë përdorues të telefonisë celulare, të shpërndarë në 3 kompani që ofrojnë këtë deri tani këtë shërbim.

Gara për licencën

Gara është bërë e ashpër, tani që "Deustche Telekom" është tërhequr, duke ua lënë stafetën dy kompanive lidere në Britani dhe Slloveni. Në këtë pikë, “AKEP” pranon se në garë mund të marrin pjesë kompani edhe nga Italia, Franca apo Arabia. Kreu i AKEP-it, Ilir Shehu, duke folur për mediat, paraqiti disa detaje rreth tenderit që pritet të zhvillohet më 23 janar 2009, duke garantuar një rezultat pozitiv. Negociatat mes “AKEP”-it dhe Ministrisë së Telekomunikacioneve nxorën fitues Entin Rregullator, i cili kërkoi që kompania të shpallej fituese jo në bazë të çmimit të ofruar për licencën, por për tarifën e shërbimit. Ndërkohë që MPPTT-ja kishte kërkuar çmimin e shitjes, “AKEP” merr miratimin edhe nga Kryeministria që të përdorte si kriter “kyç” tarifën e shërbimit të celularit, si e vetmja mundësi për uljen e kostos për konsumatorët. "Përfundimi i tenderit për celularin e katërt do të sjellë patjetër ndikim në treg, ndërsa “AKEP” parashikon një çmim mesatar prej 10 lekësh për minutë, duke iu referuar edhe metodologjisë së re, të miratuar së fundmi në shtator 2008", - tha Shehu.

Tregu celular

Prej afro 10 muajsh, në tregun vendas operojnë tri kompani celulare, konkurrenca e të cilave ka sjellë reduktim të tarifave deri me 15 lekë për minutë. “AKEP” pretendon se reduktimi i kostos për bisedat telefonike erdhi si pasojë e ndryshimeve në ligj. Kur kanë mbetur më pak se dy javë nga zhvillimi i tenderit për celularin e katërt në treg, situata për konsumatorët paraqitet më pozitive. Shqipëria numëron rreth 2.5 milionë abonentë, në një kohë që në treg pritet të shtohet dhe një kompani tjetër celulare, duke e çuar numrin në katër. "Aktualisht jemi në fazën përfundimtare të zhvillimit të tenderit. Kemi rënë dakord me Këshillin e Ministrave për zhvillimin sektorial të sektorit, ndërsa me Ministrinë e Telekomunikacionit është konkluduar mbi kriteret e përzgjedhjes së kandidatit", - thotë Shehu. Sipas tij, ka pasur mjaft interes nga kompani të ndryshme, lider në tregun e telefonisë, ndërsa dokumentet për të marrë pjesë në tender janë shkarkuar direkt nga faqja zyrtare e internetit. "Ajo që është e sigurt mbetet tarifa e ulët për bisedat celulare që do të ofrojë celulari i katërt. Ne do t‘i vendosim këtë kusht dhe jo çmimin për të blerë thjesht licencën", - sqaron kreu i “AKEP”-it.

Qeveria, tender të hapur për tarifa të lira celulari për administratën

Qershorin e vitit 2008, kryeministri Berisha kërkoi që e gjithë administrata të ketë shërbimin e një kompanie celulare, duke pretenduar më pak shpenzime. Kompania që do të ofrojë e vetme shërbimin celular do të përzgjidhet me anë të tenderit në bazë të tarifave që do të ofrojë. Kërkesa e kryeministrit Berisha duket se do të bëhet realitet pasi Ministria e Telekomunikacionit është duke përgatitur procedurat për gjetjen e kompanisë celulare që do të ofrojë tarifën më të lirë. Në fjalën e tij, Berisha theksoi se është e domosdoshme që për administratën që të përdorë operatorë me një çmim të lirë. Po kështu, kreu i qeverisë propozoi që në këtë paketë të administratës të përfshihen edhe ndërmarrje të tjera publike.

7 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›