EULEX NË SHQIPËRI?
Nga Artan Mullaj
Ne shqiptarët jetojmë në një vend të vështirë, ndërsa jemi pjesë e një komuniteti me probleme të mëdha. Këto probleme provokojnë nganjëherë dyshime për aftësinë intelektuale të shoqërisë për të realizuar ndryshimet e nevojshme. Ngjajmë me një mekanizëm të vjetruar, të cilit i janë liruar vidhat në tërësi.. Si rrugëhumbur, si ata që u mungojnë etërit krijues të rregullave klasike, që do të rregullonin krenarisht ekuilibrat e prishur të vetëdijes kombëtare për progres të shëndetshëm, ne kemi një kushtetutë të pastabilizuar dhe të huazuar, si prej kartoni, që rrallëherë funksionon drejtësisht. Na mungon vrazhdë historia, që si një pasqyrë kujtese reflekton alarmet e gabimeve të mëdha shoqërore që janë bërë tek ne. Na mungon historia e vërtetë, eksperienca e vërtetë civile, krenaria e origjinës, në të cilat akumulohet përvoja e popujve dhe instinktet shoqërore të vetëmbrojtjes ndaj gjëmave përpara. Jemi të papërgatitur gjithherë e për pasojë na mungon ndërgjegjja civile, si një energji rezervë për reaksion të nevojshëm popullor, në po atë masë që karakterizohemi nga një urtësi kolektive aspak e dobishme, çka shpjegon se fryma shqiptare ndaj ngjarjeve që kërkojnë pjesëmarrje nuk është frymë për sa kohë që indiferentizmi popullor ndikon duke e frenuar zhvillimin e brishtë të shqiptarëve.
E interpretuar më thjeshtë, shoqëria jonë është kaq e zbuluar dhe e papërgatitur, sa duket sikur rrezikon të ndëshkohet prej Ligjeve përjetësisht të pandryshueshme të Krijimit, a thua ka filluar rrotullimi i mbrapshtë për ne.
Nëse supozohet se mbi gjithçka që ndodh në këtë botë ka një sy që ndjek të gjitha zhvillimet… mbi Shqipërinë tonë vështrimet e gjykimit do të bien akull të ftohta për sa kohë është e qartë se tek ne po ndodh shkatërrimi i pafalshëm i vlerave njerëzore. Këto vlera përbëjnë pasurinë shpirtërore që kemi trashëguar nga të parët tanë; si një vlerë civile, tek ne nuk funksionon drejtësia, nuk ekziston besimi i nevojshëm qytetar për një ekzistencë normale, nuk ka liri poetike në perceptimet masive të gjërave. Mes komunikimeve të brendshme të komuniteteve ekziston një anarki e fshehtë dhe e rrezikshme, që vjen jo nga ligjet e këqija, por nga mungesa e frikshme e ligjeve që rregullojnë zakonisht ekuilibrat civile. Fytyrë e shëmtuar e kësaj anarkie është korrupsioni, sfidat e politikës ndaj drejtësisë, totalitarizmi primitiv i liderëve shqiptarë, mediokriteti i shfrenuar i pushteteve, që është lënda e parë e prodhimit të absurditeteve me shumicë.
Njerëzit tanë janë të varfër, por kjo është luks përpara varfërisë psikologjike që ka sjellë mungesa e tmerrshme e shpresës. Iluzionet e humbura të rinisë, morali i keq i qytetarëve, ndërgjegjet e vrara të hallexhinjve, bizneset e lodhura, institucionet e mbryllta, shuarja e frymës, tërheqja, vjeshta e dëshirave, shkollimi i vrazhdë, stresi i bukës së gojës, sëmundjet e shtuara, shpërfillja, të gjitha këto janë të dukshme dhe të mjaftueshme për të vërtetuar boshllëkun e pamat të kësaj mungese. Nën këtë presion dëshpërimesh, mes kësaj makutërie, duket sikur morali i trazuar shqiptar është kthyer nga një dukuri shoqërore, në një ngërç gjenetik, për të cilën askush nuk mund të dijë nëse jemi ende në kohë për ta riparuar.
Në këtë analizë nuk ka vrasje ndërgjegjeje në prezantimin e guximit për të thënë se shoqëria jonë është në një krizë identiteti, çka metaforikisht përmbledh perceptimet qytetare në konkluzionin se lëkura jonë duhet të përballojë një megakrizë të përgjithshme, të përbërë nga kriza ekonomike, institucionale, shpirtërore, nga kriza e besimit, e shpresës, e vetëdijes etj., të marra së bashku.
Mbi këtë krizë qëndron një “Pse?” gjëmuese dhe primitive për gjithçka, pas të cilës “pse”-të e vogla vijnë pambarim.
Atëherë, pse jemi ndëshkuar të jetojmë në vorbullat e rrezikshme të këtyre krizave? (Kjo pyetje mund t’i bëhet moshës së tretë, por edhe fëmijëve të vegjël në shkolla). Dhe ka një përgjigje! Përgjigjen e thjeshtë mund ta gjejmë te Ligji Njerëzor i Shkakut dhe Pasojës. Sipas këtij ligji, asgjë nuk ndodh rastësisht. Për çdo pasojë ka një shkak të mirëqenë. Atëherë, nëse kriza është pasoja, shkaku kush është?
Është aktiviteti njerëzor. Shoqëria është kjo që është, jeta është kjo që është, sepse njeriu shqiptar ka bërë ato që ka bërë dhe sepse në jetën e tij kanë ndodhur ato që kanë ndodhur. Pra kriza nuk është rastësi, por është pasojë e aktivitetit të njerëzve. Si komunitete të organizuara, përfaqësimi publik i këtyre njerëzve realizohet nëpërmjet pjesëmarrjes politike, me partitë politike, me qeverinë, me parlamentin, me institucionet shtetërore, me shtetin. Pikërisht sepse funksionimi i gjithë këtyre është në krizë, shoqëria është në krizë. Atëherë, “Pse”-ja e madhe merr thjesht këtë përgjigje të madhe. Ka një krizë të hatashme, sepse shteti dhe politika, instrumenti njerëzor i krijuar për ta nxjerrë shoqërinë nga krizat, është vetë në krizë të hatashme.
Por pse politika e shqiptarëve është në krizë?
Ekziston një dashamirësi reale në interpretimin vulgar që po bëjmë dhe shpjegimin e "Pse"-ve dhe përgjigjeve që ndjekin, sepse faktet janë në dritën e diellit. Politika është në krizë sepse politikanët e zgjedhur janë në krizë, por edhe zgjedhësit janë në krizë!
Pse politikanët janë në krizë?
Ata janë në krizë sepse janë të paaftë, janë të këqij, janë të zgjedhur gabim, janë të pacivilizuar, janë të korruptuar, janë hajdutë, janë mediokër, janë të lodhur, janë të pandershëm, janë të pasinqertë, janë kriminelë, janë gojëhapur, janë, barkmëdhenj, prapanicëvarur, përtacë, pordhamanë, qullacë, e gjithë çka fjalori.
Por pse zgjedhësit e tyre janë në krizë?
Sepse ata janë shkaku që janë zgjedhur pikërisht këta politikanë të lodhur, këto “epitetet” e mësipërme, sepse vetë kanë lejuar të gënjehen prej tyre, duke i besuar kokulur e veshëvarur, sepse besojnë premtimet që mbeten premtime dhe i besojnë sërish, dhe votojnë sërish ata që premtojnë premtime të premtuara për të mos u mbajtur kurrë, sepse zgjedhësit punojnë pak për të kuptuar më shumë, për t’u ngritur më shumë, sepse zgjedhësit kanë një prirje vetëmohimi dhe vetëmënjanimi përballë ngjarjeve ku luhet fati i tyre.
Por Përse?
Përse politikanët janë këta që janë dhe shoqëria është kjo që është, dhe të dyja në përfaqësim rezultojnë katranosur në krizë dinjiteti dhe në një dëshmi realiteti të ashpër për paaftësi popullore në rregullimin e punëve të veta.
Këtu zë fill një lloj ngërçi në krizë. Jemi të aftë ne shqiptarët të vetëqeverisemi? Jemi të aftë të vetëmenaxhohemi, të rregullojmë punët tona dhe punët e ardhshme të fëmijëve tanë? A jemi të aftë ne shqiptarët ta fusim zhvillimin tonë në shinat e caktuara nga vetë Ligjet e hershme të Krijimit?
Në qoftë se po, pse nuk ndodh? Nëse jo, ç’duhet të bëjmë? (Nëse nuk do shpresonim të parën, ky shkrim nuk do të kish asnjë kuptim, sepse logjika do të na shpinte në konstatimin se më shumë se një shteti të ri, si Kosova, EULEX-i do t’i nevojitej Shqipërisë si një menaxhim i jashtëm dhe i domosdoshëm).
Do të shpresojmë natyrisht të parën. Atëherë, derisa jemi të aftë si menaxherë, pse nuk menaxhojmë si duhet përparimin tonë dhe ndodhemi mes krizash? Përgjigjja do shumë pak fantazi fëmijërore. Sepse duhet të ndryshojmë politikanët, menaxherët e vjetër. Por të ndryshojmë edhe zgjedhësit. Por nëse të parët, si klasë që votohet, është e lehtë të ndryshohet me vota të mençura njerëzish të mençur, zgjedhësit nuk mund të ndryshohen. Atëherë duhet dalë nga ky ngërç. Nëse nuk mund të ndryshohen zgjedhësit, e vetmja gjë që mbetet është që ata të mund të emancipohen, të shkollohen, të edukohen, të mençurohen, pse jo, edhe të pasurohen. Por që të ndodhin këto duhen të ndryshohen përsëri politikanët, politikat e tyre, reformat e tyre, drejtuesit, menaxherët, fatlumët, monarkët, prapanicëmëdhenjtë, thonjpaprerët, salcanikët, fytyrëlyrosurit, dhjamanikët, pra kollarexhinjtë e vjetër, e të zëvendësohen me të tjerë, me të rinj, me të mençur, me dashamirës, me njerëz të sinqertë, me ata që do të përpiqen të bëjnë ca punë të mira për të mirën e përbashkët.
7 Janar 2009