E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimet dhe koncesionet, ish-pronarët përfshihen vetëm në një rast



Rikthimi i ligjit të privatizimeve ka rikthyer edhe një herë vëmendjen e opinionit drejt sektorëve strategjikë pas një bllokimi relativisht të gjatë. Ky proces u bllokua si pasojë e përplasjeve që kishte me ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, pasi ky ligj ndalonte privatizimin e objekteve shtetërore, ndërkohë që procesi ka vazhduar. Tashmë me riaktivizimin e tij të parët që do të përfitojnë do jenë ish-pronarët e truallit, pasi ligji u jep atyre të drejtën e parablerjes. Aktualisht në proces është vetëm kompania “Albtelekom”, ndërsa pritet që të fillojnë edhe sektorët e tjerë strategjikë. Deri tani janë privatizuar pothuaj 100 për qind e sektorëve të industrisë ushqimore, bujqësia, industria joushqimore duke përfshirë minierat, ndërmarrjet e tekstilit dhe të këpucëve, të prodhimit të artikujve industrialë, të duhanit, të transportit të brendshëm të udhëtarëve etj. Privatizimi ka përfshirë edhe Aeroportin e Rinasit, ndonëse si hap të parë me dhënie koncesionare, si dhe ndërmarrje të ujësjellësve dhe të energjisë elektrike, sektorë të veçantë të të cilëve do të privatizohen 100 për qind në të ardhmen. Paralelisht me procesin e privatizimeve ka përfunduar edhe ligji i koncesioneve. Miratimi i këtij ligji ka ndryshuar rrënjësisht procedurat e dhënies me koncesion të shumë prej HEC-eve dhe TEC-eve, si dhe një pjesë të rrugëve kryesore të vendit. Ndërkohë që pritet që me ligjin e ri të jepen me koncesion edhe ndërtimi i linjave hekurudhore. Gjatë vitit 2008 u dhanë me koncesion 54 HEC-e vendore, si dhe TEC-i në Fier.

Shuma në përqindje e aksioneve të shtetit në kompanitë strategjike

Nr. Emri i kompanisë Aksionet shtetërore në posedim
1. ARMO 15%
2. Albpetrol 100%
3. OSSH 24%
4. AMC 12.5%
5. Albtelekom 24%
6. KESH 49%
7. INSIG 61%
8. Ujësjellës Sh.a. 100%
9. Hidrocentralet 100%
10. Ndërmarrje dhe ish-fabrika shtetërore Vlera të ndryshme

7 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›