E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti 2009 në Shqipëri nis me rritje të çmimeve dhe me rënie të fuqisë blerëse



Kriza financiare ka shkaktuar edhe në Shqipëri rënie të fuqisë blerëse. Këtë fakt e konfirmon rënia e sasisë së importeve, paçka se në vlerë doganat raportojnë rritje të tyre. Drejt vendit tonë në vitin 2008 kanë ardhur ndjeshëm më pak sasi të mallrave të importit dhe ku ushqimet, që përbëjnë peshën kryesore në to, nuk bëjnë përjashtime. Referuar shifrave zyrtare të vetë doganave rezulton se sasia e mallrave të zhdoganuara në 11 muajt e vitit 2008 ishte më e ulët se sasia e importuar në vitin 2005. Sipas këtyre shifrave rezulton që në periudhën janar-nëntor 2008 u importuan 3930 tonë mallra. Shifra e periudhës korresponduese të vitit 2005 është 3946 tonë, ndërsa e një viti më parë 3983 tonë mallra. Por kjo situatë zyrtarisht është mbuluar me vlerat e importeve, të cilat janë dukshëm më të larta për shkak të rritjes së çmimeve në këtë periudhë. Madje bazuar në vlerat e importeve, kur sasitë e zhdoganimit janë të përafërta, rezulton se për 4 vjet çmimet e mallrave të importit janë dyfishuar. Në vitin 2005 vlera e sasisë së mallrave të huaja të futura në tregun shqiptar ka qenë 1.7 miliardë euro, ndërsa në vitin 2008, ndonëse sasia është rreth 16 tonë më pak, vlera e tyre është raportuar 3.9 miliardë euro. Ruajtja e stabilitetit makroekonomik të vendit mbetet një nga sfidat kryesore të Bankës së Shqipërisë për këtë vit, në një kohë kur ekonomitë më të zhvilluara të botës, si të SHBA-ve, Japonisë, Eurozonës e Anglisë, janë përfshirë nga kriza financiare. Sipas BSH-së, "sot nuk mjafton vetëm konstatimi i rreziqeve me të cilat do të përballemi potencialisht, por sot prioritet për të gjithë mbetet ideimi dhe zbatimi i masave parandaluese dhe kuruese, të cilat do të zvogëlonin masën e materializimit të këtyre rreziqeve në ekonominë tonë“.
Duke iu referuar statistikave të BSH-së, zhvillimet monetare në ekonomi kanë ndjekur tendencat e parashikuara në programin monetar dhe kanë qenë në përputhje me ecurinë e aktivitetit real të ekonomisë në Shqipëri, pavarësisht zhvillimeve ndërkombëtare. BSH-js vëren se kërkesa për para e ekonomisë ka vijuar të jetë e lartë, ndërkohë që rritja e portofolit të kredisë ka mbështetur kryesisht bizneset.

7 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›