ISKSH-ja, “test” spitaleve mbi shërbimet për pacientët
Emanuela Sako
Nis faza e parë e shtrirjes së Skemës së Sigurimeve Shëndetësore në të gjitha spitalet e vendit. ISKSH-ja do të financojë një paketë shërbimesh për ato spitale me të cilat do të lidhë kontrata. Në një fazë të dytë do të shihet nëse do të ketë zgjerim të kësaj pakete për të gjithë ata që paguajnë sigurime shëndetësore. Pavarësisht tarifave të ndryshme, shërbimet do të jenë të njëjta. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, shpjegoi dje në një konferencë për shtyp mënyrën se si do të bëhet kjo reformë. Sipas saj, brenda muajit mars do të lidhë kontratat e para me spitalet publike. Fillimisht drejtorët e spitaleve do të lidhin kontrata me të gjithë punonjësit. Në këtë mënyrë procedimi do të arrihet autonomia e spitaleve, ku do të shënohet dhe faza e parë të reformës spitalore, e cila do të monitorohet nga ISKSH-ja. Hana ka siguruar se pacientët nuk do të kenë më mungesa medikamentesh në spitale. Tashmë problem mbeten borxhet e mëdha që kanë spitalet dhe shlyerja e tyre para se të bëhen pjesë e skemës së sigurimeve. Ministria e Shëndetësisë, brenda korrikut 2009 duhet të përcaktojë standardet për spitalet dhe deri në fund të vitit do të përcaktojë protokollet e diagnozës dhe të trajtimit për çdo shërbim.
Borxhet
Problem ende i pazgjidhur për shtrirjen e skemës së sigurimeve mbeten borxhet e spitaleve të akumuluara në vite. Ndërkohë që vendimi më i fundit i qeverisë, që hapi dritën jeshile për shtrirjen e reformës në spitale, nuk përcaktonte një zgjidhje për borxhet që kanë spitalet. Për këto vonesa Hana u shpreh se nuk dihet shifra e saktë e borxheve, pasi janë të akumuluara ndër vite, ku prej 18 vjetësh spitalet punojnë me borxhe. Sipas informacioneve, borxhet nuk do t’u ngelen as spitaleve, as ISKSH-së. “Në fazën e parë, që është faza përgatitore, ne do t’i identifikojmë këto nëpërmjet kontratës dhe do të kërkojmë adresimin e këtyre borxheve nga qeveria, që natyrisht në bisedat paraprake që janë bërë, nuk do t’i ngelen as spitaleve, as ISKSH-së. Pra ky buxhet që u jepet spitaleve do të përdorohet vetëm për nevojat e tyre, jo për borxhet”, - deklaroi Hana. Fondet për shtrirjen e skemës do të shpërndahen nga Ministria e Financave. Në fazën e parë është vendosur nga qeveria një autonomi e kontrolluar e këtyre spitaleve dhe për këtë arsye është përcaktuar thesari si lëvruesi i fondeve në momentin e parë. Përsa u përket të ardhurave dytësore, spitalet do të kenë mundësi të trashëgojnë fondet. Kjo do të thotë se nëse mbeten fonde pa shfrytëzuar gjatë vitit, ato nuk do të kalojnë më në buxhetin e shtetit, por do të mund të mbahen dhe të përdoren nga vetë spitali edhe vitin tjetër.
Kontrata
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të lidhë kontratë me çdo spital brenda marsit 2009 dhe brenda së njëjtës periudhë drejtori i spitalit do të lidhë kontrata me të gjithë punonjësit. Kontratat do të bazohen në shërbimet që realisht ofrohen në spitale në momentin e lidhjes së kontratës. Pjesë e kontratës dypalëshe do të përcaktohen: shërbimet e parashikuara për çdo spital; mënyrat e mbajtjes së të dhënave dhe të raportimit; modalitetet e pagesës së spitalit; metodologjia e llogaritjes së shpenzimeve; treguesit e cilësisë dhe performancës; mënyrat e ushtrimit të kontrollit nga ana e ISKSH-së; sistemi i referimit dhe mënyrën e identifikimit të të siguruarve; si dhe mënyrat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Kjo do të sigurojë autonominë e spitaleve në të gjithë vendin.
Lista e shërbimeve spitalore që do të financohen nga ISKSH-ja
1. Shërbimi i Kardiologjisë
-hemodinamika
-reanimacioni i kardiologjisë
2. Shërbimi i Kardiokirurgjisë
3. Shërbimi i Kirurgjisë angiovaskulare
4. Shërbimi i Hematologjisë
5. Shërbimi Gastrohepatologjisë
6. Shërbimi Endokrinologjisë
7. Shërbimi Nefrologji dhe Hemodializë
8. Shërbimi Anestezi-Reanimacionit
9. Shërbimi i Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme
10. Shërbimi i Mjekësisë Interne
11. Shërbimi i Alergologjisë
12. Shërbimi i Reumatologjisë
13. Shërbimi i Dermatologjisë
14. Shërbimi Ortopedisë
15. Shërbimi Okulistikës
16. Shërbimi ORL-së
17. Shërbimi i Kirurgjisë maksilo-faciale
18. Shërbimi i Kirurgjisë së Përgjithshme
19. Shërbimi i Urgjencës Kirurgjikale
20. Shërbimi i Kirurgjisë Digjestive
21. Shërbimi Urologjisë
22. Shërbimi Djegie -Plastikës
23. Shërbimi Neurologjisë dhe Neurofiziologjisë
24. Shërbimi i Neurokirurgjisë
25. Shërbimi i Onkologjisë dhe Kirurgjia Onkologjike
-Statistika Onkologjike (regjistri i kancerit)
-Laboratori Histopatologjik Onkologjik
-Laboratori Klinik-Biokimik Onkologjik
26. Shërbimi Rrezatim Kobaltit
27. Shërbimi Infektiv
28. Shërbimi Pediatrisë së Përgjithshme
-Urgjenca Pediatrike
-Fizioterapia Pediatrike
29. Shërbimi i Pediatrisë së Specialiteteve
30. Shërbimi i Pediatrisë Infektive
31. Shërbimi i Kirurgjisë Infantile
32. Shërbimi i Onkohematologjisë Pediatrike
33. Shërbimi i Reanimacionit Pediatrik
34. Shërbimi i Laboratorëve (Klinik-Biokimik, Mikrobiologjik, Imunologjik, Anatomopatologjik, Gjenetik mjekësor, Laboratori i Mjekësisë Nukleare)
35. Shërbimi i Imazherisë
36. Shërbimi i fizioterapisë
37. Shërbimi i Statistikave
38. Shërbimi i Pneumologjisë
39. Shërbimi i Kirurgjisë Torakale
40. Shërbimi i Ftiziatrisë
41. Shërbimi i Gjinekologjisë
42. Shërbimi i Obstetrikës
43. Shërbimi i Patologjisë së Barrës
44. Shërbimi i Neonatologjisë
45. Shërbimi i Farmacisë
46. Shërbimi i Konsultave Ambulatore
47. Shërbimi i Toksikologjisë
48. Shërbimi i Koordinimit të Urgjencave
49. Shërbimi i Psikiatrisë ( QSUT )
50. Kontrolli i Infeksioneve Spitalore
Mbështetur në ligjin e spitaleve
Spitali ditor, shërbim të ndihmës së parë mjekësore për trajtim dhe kurim 24-orësh
Spitali në nivel bashkie (rrethi)
Shërbim Urgjence
Shërbim i Mjekësisë së Përgjithshme
Shërbim i Kirurgjisë së Përgjithshme
Shërbim i Pediatrisë
Shërbimi Obsetrik-Gjinekologjisë
Shërbimi i Anestezi-Reanimacionit
Shërbimi i Radiologjisë
Shërbimi i Laboratorëve Klinik-Biokimik
Shërbimi Farmacisë
Spitali në nivel qarku (rajonal)
Shërbim Urgjence
Shërbim i Mjekësisë së Përgjithshme
Shërbimi i Kirurgjisë së Përgjithshme + Ortopedi Traumatologji+Urologji
Shërbimi i Pediatrisë
Shërbimi i Obsetrisë-Gjinekologjisë
Shërbimi i Anestezi-Reanimacionit
Shërbimi i Radiologjisë
Shërbimi i Fizioterapisë
Shërbimi i Laboratorëve Klinikë-Biokimikë dhe Mikrobiologjikë
Shërbimi i Anatomisë dhe Histologjisë Patologjike
Shërbimi i Hemodializës
Shërbimi i Farmacisë
Klinika e ORL-së
Klinika e Okulistikës
Klinika e Sëmundjeve Infektive
Klinika Dermatologjike
Kabineti i Onkologjisë
Kabineti i Riaftësimit
Kabineti i Dietologjisë
Lista e institucioneve që nuk do të financohen nga ISKSH-ja
Spitali Psikiatrik Vlorë
Spitali Psikiatrik Elbasan
Shërbime të Shëndetit Mendor në Rrethe
Shërbimi i Psikiatrisë Shkodër
Qendra Kombëtare e Riaftësimit, Mirërritjes dhe Zhvillimit të Fëmijëve
Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit
Ofiçina Elektro-Mjekësore
Njësia e Transportit me Helikopterë
7 Janar 2009