E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundërshtohet ligji për importin e naftës së cilësisë së dytë



Shoqata e Hidrokarbureve kundërshton ligjin e ri për importin e naftës së cilësisë së dytë. Por edhe shoqëritë importuese të naftës e kundërshtojnë ligjin e ri për ndryshimin e këtyre standardeve, ato e shohin veten të kufizuar në treg pasi shitja e naftës “diesel” apo cilësisë së dytë bëhet vetëm nga një kompani karburantesh private. Viktor Nushi, kryetar i Shoqatës së Hidrokarbureve, është shprehur në kundërshtim me këtë ligj të ri. Edhe një sërë kompanish naftësjellëse në Shqipëri kanë paraqitur një ankesë të tillë para Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës. Ky komision e ka cilësuar këtë ligj si favorizues të situatave monopol dhe e bën përgjegjës të uljes së nivelit të konkurrencës. Me hyrjen në funksion të këtij ligji problem mbetet ende ndryshimi i çmimit për këtë kategori karburanti, si dhe sasia që mund të ketë çdo karburant për këtë cilësi nafte. Kjo duke pasur parasysh se kompani karburantesh në vendin tonë shprehen se kjo lloj nafte është mjaft e kërkuar për shkak të çmimit më të lirë që ndryshon ndjeshëm nga ajo e cilësisë së parë “eurodiesel”.

Ndërpritet furnizimi me gaz në disa vende europiane

Pasojat e mosmarrëveshjeve mes Rusisë dhe Ukrainës po ndihen në furnizimin me gaz të disa vendeve europiane. Kompania shtetërore ukrainase e gazit “Naftogaz”, njoftoi se vendimi i Rusisë për të ulur sasinë e gazit që rrjedh në gazsjellës, do të ndikojë brenda pak orësh në shumë shtete të kontinentit. Pasojat në fakt janë ndier shumë shpejt. Informacioni i parë për mungesa në furnizim ka ardhur nga ministri bullgar i Ekonomisë dhe Energjisë. Ai deklaroi se gjatë natës së të martës është ndërprerë rrjedhja e gazit drejt Bullgarisë, Greqisë, Turqisë dhe Maqedonisë. Disa vende të tjera që prej 1 janarit kanë raportuar gjithashtu ulje të sasisë së gazit, mes të cilave Gjermania, Polonia e Hungaria. Gjiganti rus i energjisë, “Gazprom”, vendosi të ulë me një të pestën sasinë e gazit që furnizon Europën nëpërmjet tubacioneve ukrainase. Ulja korrespondon me sasinë e gazit që sipas Rusisë, Ukraina i ka vjedhur Moskës qëkur ajo ndërpreu furnizimet.

Rruga “Thumanë-Rrogozhinë”, gati hapja e tenderit për dhënie me koncesion

Ministria e Transportit po përgatit dokumentacionin për zhvillimin e tenderit për ndërtimin me koncesion të autostradës “Thumanë-Rrogozhinë”, me një gjatësi prej 66 kilometrash. Sipas MPPTT-së, firma kroate "Konstruktor-Inzenjering d.d- Split”, ka shprehur interesin për të marrë me koncesion ndërtimin e autostradës. Sipas MPPTT-së, firma kroate ka përgatitur studimin e fizibilitetit, projekt-idenë, analizën financiare, studimin mjedisor, preventivin përkatës për zbatimin dhe shfrytëzimin, ndërsa një grup pune, i ngritur në MPPTT, ka shqyrtuar vërtetësinë dhe ligjshmërinë e gjithë dokumentacionit. Referuar studimit fillestar që ka sjellë kjo kompani, thanë burimet zyrtare të MPPTT-së, mendohet që ndërtimi i rrugës të kushtojë rreth 620 milionë euro. Segmenti mbetet e vetmja mundësi për të shkarkuar trafikun e madh të segmentit Tiranë-Durrës dhe Durrës-Rrogozhinë. Ai vlerësohet si "shtylla kurrizore" për gjithë infrastrukturës rrugore të vendit, pasi ndërtimi i tij lehtëson trafikun e Shqipërisë Qendrore, në të cilën zhvillohet 80-85 për qind e gjithë volumit të trafikut të vendit, ku jeton 4/5 e popullsisë dhe ekonomisë së vendit.

7 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›