E Shtunë, 31 Tetor 2026

Celulari i tretë, marsi afati i fundit për në treg

 
Licenca e kompanisë "Eagle Mobile" e lëshuar që në vitin 2004, skadon në muajin mars të vitit 2008
Kompania e tretë celularë iu shit nga qeveria bashkë me "Albtelekom" konsorciumit turk, të përbërë nga Grupi "Calik" dhe Telekomi Turk
Kompania "Eagle Mobile" pritet që të ofrojë shërbimet e saj në muajin mars të vitit 2008, në tregun vendës, kohë që korrespondon edhe me afatin e fundit të licencës që asaj i është dhënë nga ana e qeverisë shqiptare. "Eagle Mobile" është edhe kompania e tretë e lëvizshme që do të operojë në tregun vendës, pas "AMC" dhe "Vodafone". Nëse kompania nuk futet në treg brenda muajit mars të vitit 2008, atëherë kjo do të jetë hera e tretë që licenca skadon sipas ligjit.
Licenca, 3 vjet e bllokuar
Prej 3 vjetësh pasi është dhënë nga Enti Rregullator i Telekomunikacioni, licenca e kompanisë "Eagle Mobile" ka qëndruar në sirtar, megjithëse kjo kompani ka pasur edhe një staf, që nuk dihet se me çfarë aktiviteti është marrë në këto vite që kompania ekzistonte vetëm në letra. Muaji mars i vitit 2007 ka qenë edhe viti i dytë radhazi që licenca e kësaj kompanie "digjej" dhe jepej sërish nga ERT. Sipas Ligjit 9127 përcaktohet që shërbimi nga operatori i licencuar do t'i ofrohet publikut, jo më vonë se 12 muaj pas marrjes së licencës. Në plan-biznesin e kësaj kompanie, që ishte parashikuar që të futej në treg nga qeveria shqiptare që në vitin 2004 parashikohej që vetëm në fazën e parë të investoheshin rreth 40 milionë euro, me qëllim arritjen e një tregu prej 80 mijë abonentësh. Sipas plan-biznesit të kompanisë asokohe në pronësi shtetërore kërkohej një investim që kalonte 10 milionë euro, vetëm për vendosjen e aparaturave për të mbuluar shërbimin mobile.
Marrëveshja
Burime nga kompania "Eagle Mobile" bëjnë të ditur se konsorciumi që ka në pronësi këtë kompani ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë "Huawei Technologies", për implementimin e gjithë infrastrukturës teknike. Në këtë marrëveshje parashikohet që duke filluar nga muaji mars 2008, "Eagle Mobile" do të fillojë operimin e tij në tregun mobile. Burime nga kompania "Eagle Mobile" bëjnë të ditur gjithashtu se "Huawei" me anë të kësaj marrëveshjeje, do të bëjë të mundur që "Eagle Mobile" të ketë infrastrukturën teknike të nevojshme për sistemin 3G. Vlera e këtij investimi është 26 milionë euro. "Eagle Mobile", me privatizimin e "Albtelecom"-it i kaloi shoqërisë së telekomunikacionit "CETEL" e cila është pjesë e grupit "Calik Holding". 76% të aksioneve i zotëron konsorciumi i përbërë nga Grupi "CALIK" dhe Turk Telekom. Gjithashtu, 80% të aksioneve brenda konsorciumit të quajtur me emrin e ri CT Telekom zotërohen nga CETEL dhe 20% nga Telekomi Turk.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›