E Diel, 1 Nëntor 2026

"Gazprom", marrëveshje për gazsjellës në Shqipëri

 
Gjiganti rus ka shprehur interesin për ndërtimin e një gazsjellësi që kalon në territorin shqiptar
Marrëveshja parashikon ngritjen e një nëngrupi pune të përbashkët për linjat e gazsjellësit
Rusia po shikon dy projekte për ndërtimin e gazsjellësve nëpër Ballkan, sikurse është ai që quhet "gazsjellësi i Jugut" si dhe i linjës që e quajmë "gazsjellësi blu", i cili është më afër gjeografikisht me Shqipërinë
Gjiganti rus "Gazprom" është i interesuar për shtrirjen e rrjetit të gazit, që do të kalojë në Ballkan dhe në territorin shqiptar. Synimi i kompanisë shtetërore ruse është bërë i ditur gjatë ditës së djeshme, në një takim që përfaqësues të qeverisë ruse patën me homologët e tyre të Ministrisë së Ekonomisë. Në fushën e energjetikës, marrëveshja përcakton "krijimin e një nëngrupi të përbashkët pune për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe kompanisë ruse të gazit, "Gazprom", në kuadër të grupit të punës për zgjerimin e eksportit të gazit rus nga Rusia në Turqi". Qëllimi i këtij nëngrupi, lidhet me interesimin që kanë të dyja palët për zgjerimin e tregut të gazit edhe në vendin tonë. Duke vlerësuar këtë pikë të marrëveshjes, zëvendësministri i METE-s, Eno Bozdo, tha se "Shqipëria është e interesuar për kalimin e gazsjellësve në territorin tonë, për të kaluar më tej në Itali". Gjatë këtij takimi Grigori Elkin deklaroi se, "Rusia po shikon dy projekte për ndërtimin e gazsjellësve nëpër Ballkan, sikurse është ai që quhet "gazsjellësi i Jugut" si dhe i linjës që e quajmë "gazsjellësi blu", i cili është më afër gjeografikisht me Shqipërinë. Ne po shqyrtojmë të dyja variantet dhe po studiojmë mundësinë e kalimit të gazsjellësit nëpër Shqipëri. Ekspertë të "Gasprom"-it kanë vizituar vendin tuaj, por ende nuk ka një vendim",- tha Elkin. "Gazprom" së fundi ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë e naftës "ENI" të Italisë, për ndërtimin e një gazsjellësi që do të çojë gazin rus në Itali. Gjithashtu kjo kompani ka një marrëveshje bashkëpunimi edhe me kompani greke, për kalimin e gazsjellësve në tokën greke. Nga ana e Bozdos është bërë e ditur se, "Shqipëria është mjaft e interesuar për t'u përfshirë në rrjetet rajonale të gazsjellësve, nisur nga nevoja në rritje për këtë burim energjetik, i nevojshëm për konsumatorët industrialë, rezidencialë, etj.". Marrëveshja e arritur gjatë së djeshme, përfshin hapa konkrete për sektorin e energjisë elektrike. Kështu, Rrjetet Energjetike të Rusisë do të bashkëpunojnë me KESH-in për të marrë pjesë në tendera për ndërtimin e HEC-ve në lumin Vjosë dhe Devoll, si dhe në ndërtimin e TEC-ve të rinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›