“Cenet” e Skënderbeut!
Debatet për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun në emër të çmistifikimit të kësaj figure historike, të filluara kohë më parë në Tiranë se si më kthyen shumë vjet prapa, kur gjëra të tilla pati përpjekje të ngjizen edhe në Prishtinë në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtat teza. Në fillim të viteve nëntëdhjetë, kur ne bënim përpjekje të mëdha për pavarësimin nga Jugosllavia, ndërsa i thërrisnim në ndihmë historisë, sidomos Skënderbeun e kishim frymëzuesin kryesor, doli një tezë e mbrapshtë nëpër kafenetë projugosllave të Prishtinës se kinse Skënderbeu nuk është ai që e kemi mësuar dhjetëra vjet në shkollë a nëpër libra apo që e kemi menduar një kohë të gjatë, por është krejtësisht ndryshe.
Përpjekjet e para në formë thashethemnaje i filluan një shtresë e intelektualëve nga brezi i parë i martesave të përziera shqiptaro-serbe, të cilët nuk ishin shqiptarë, nuk ishin as serbë, gjakonin të bëheshin jugosllavë dhe identifikoheshin me unitarizmin e Beogradit, që në cak të fundit bënin strategjinë e Serbisë. Kësaj lukunie që filluan të bëheshin agresivë, por që megjithatë u kundërviheshin shqiptarët nacionalistë u erdhën në ndihmë bashkëmendimtarët e tyre shqipfolës të cilët një kohë të gjatë kishin pi ujë Save, sikurse u thoshim ne atyre njerëzve që ishin ngjizur dhe edukuar me kulturën e subkulturën e Beogradit.
Edhe të parët, edhe të dytët, me ndjenjën e inferioritetit ndaj serbëve vendës të kryeqytetit jugosllav, pastaj të kompleksuar pse nuk ishin si ata, por ishin as shqiptarë as serbë, filluan një fushatë të djallëzuar kundër figurave kombëtare shqiptare. Madje, ishte kjo shtresë deledash e cila përpiqej të bindte njerëzit se Enver Hoxha është figurë më e ndritshme sesa Skënderbeu!
Sulmi ndaj ikonave kombëtare
Ky grupim i ngjizjes mushke, disa nga figurat historike, të cilave lehtë ua gjenin të metat, i kalonin shpejt, ndërsa problemin kryesor e kishin te Skënderbeu, i cili ishte i njohur tashmë disa shekuj në qarqet intelektuale ndërkombëtare, ishin bërë me dhjetëra vepra artistike të frymëzuara nga ky kolos i historisë kombëtare e evropiane. Ata synonin që ta deprimonin popullatën shqiptare të territoreve etnike, sepse për të tjerët nuk u bëhej vonë.
Meqë çështja e Kosovës ndërkombëtarizohej me shpejtësi, ndërkaq, Skënderbeu e Nëna Tereza u bënë ikonat tona në çdo propagandë kombëtare, duke bërë me dije se pasardhësit e tyre kërkojnë ndihmë nga Evropa e nga SHBA-të, intelektualët deledashë gjithë energjinë e tyre destruktive e përqendruan mbi këtë figurë. Një herë e nxorën tezën se Skënderbeu bëri gabim të madh pse kishte luftuar kundër Perandorisë Otomane, në vend se ta bënte aleate. Kur kësaj teorie i kundërviheshe me lehtësi, sepse në aspektin teorik e historik ishte e lëndueshme, ata nxorën tezën tjetër për ta bërë më pak simpatik simbolin kombëtar, sikur Skënderbeu (e dini, ta afronin gojën të veshi) nuk ishte