E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat si kërcënim elektoral për PD-në



Pronat apo, më mirë të themi, praktikat e kthimit dhe kompensimit të tyre janë vënë në qendër të vëmendjes së opinionit publik. Ngërçi me këtë problem nga më seriozët për vendin shprehet edhe në angazhimin e vazhdueshëm të qeverisë nga kuadri ligjor deri tek shkarkimet e përsëritura të krerëve të agjencisë se ngarkuar me këtë punë, madje edhe penalizimin e disa prej tyre.

***

Duket se ka një kontrast të dyshimtë mes vullnetit të shprehur të mazhorancës në pushtet dhe zbatimit në praktikë të këtij vullneti. Nëse ka një aspekt ku mazhoranca e zotit Berisha nuk po arrin të realizojë projektin politik, janë pa dyshim çështjet e kthimit dhe kompensimit të pronave dhe ish-të përndjekurve politikë. E thënë ndryshe, në fund të mandatit të saj qeverisës, mazhoranca nuk ka mundur të jetë e suksesshme në dy pika nevralgjike tejet jetike për ekzistencën e saj politike dhe elektorale.

***

Në tërësi, qytetarët që përfitojnë nga kthimi e kompensimi i pronave dhe dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë përbëjnë të paktën në bazë thelbin e shtyllën kurrizore të strukturave politike e elektorale të PD-së. Nga ana tjetër, zgjidhja e këtyre dy çështjeve është një obligim historik që mund dhe duhet ta zgjidhë vetëm PD-ja dhe aleatët e saj të djathtë. Vihet re lehtë rritja e presionit të publikut për këto dy çështje sa herë demokratet vijnë në pushtet. Kjo situatë është sa e pritshme aq edhe e argumentuar për faktin se shumica e pronarëve dhe të përndjekurve besojnë verbërisht që PD-ja është e vetmja që mund dhe duhet t’u japë zgjidhje këtyre dy problemeve, pasi nuk mund ta presin një gjë të tillë nga opozita e majtë trashëgimtare politike e gjenetike e atyre që grabitën pronat dhe i përndoqën politikisht. Për shumë prej tyre edhe ekzistenca e PD-së nuk ka kuptim pa obligimin politik të zgjidhjes së këtyre dy problemeve me impakt të konsiderueshëm në zhvillimet politike, shoqërore, ekonomike si dhe integrimin euroatlantik të vendit.

Por, le të ngelemi tek pronat.

***

Problemi i pronave ka një handikap që shprehet qartësisht ne diskordancën midis aksionit politik dhe realizimit teknik e praktik të tij. E thënë ndryshe, nëse qeveria dhe mazhoranca kanë ndërmarrë në planin politik e ligjor hapa të rëndësishëm në zgjidhjen e çështjes së pronave, këta hapa nuk reflektohen në konkretizimin praktike të procesit.

Është qartësisht e dallueshme “pamundësia” e administratës që merret me këtë çështje për ta përmbushur misionin e vet, duke krijuar në këtë mënyrë një lëmsh kostoja e të cilit bie mbi pronarët dhe PD-në.

Pronarët kanë koston ekonomike dhe psikologjike të pamundësisë për të marrë atë që ua kanë grabitur me dhunë, ndërsa PD-ja koston që vjen nga mosrealizimi i këtij obligimi të madh ndaj një pjese tejet jetike të ekzistencës politike e elektorale të saj.

***

Nëse nuk të çon halli të përballesh me një proces kthimi të pronës, nuk arrin dot ta kuptosh atë çka ndodh në praktikë me këtë çështje. Duke mos llogaritur këtu kalvarin e dokumentacioneve, vërtetimeve, gjyqeve vetëm intrazigjenca e administratës është pothuaj e papërballueshme për një qytetar normal. Personalisht e njoh mirë këtë proces, pasi më ka rënë barra të merrem me kthimin e pronave të familjes sime dhe nëse nuk do të më detyronte një ndjenjë turpi ndaj mosrespektimit të sakrificave të të parëve të mi për këto prona, nuk do të isha marrë me to. Kam shpenzuar aq shumë energji, nerva e para, me pak fjalë, më ka dalë shpirti nga hundët, saqë ajo që përfitohet në planin ekonomik nuk ia vlen. Nëse nuk më besoni, shkoni një ditë në agjencinë e AKKP-së dhe shikoni realitetin. Dhjetëra qytetarë, kryesisht pleq e plaka të rrudhur e të lodhur nga vuajtjet dhe përndjekjet si ish-pronarë, shpeshherë të ardhur nga rrethet e largëta të vendit, presin në korridore që të marrin një përgjigje për pronat që kanë pak ose aspak mundësi t’i gëzojnë. Një kalvar, që pas atij 50-vjeçar të diktaturës, është i papranueshëm e i turpshëm, sidomos në mandatin qeverisës të PD-së.

***

Por, përse ndodh kjo?

Ish-drejtori i AKKKP-së, Tunxh Vatnika, me tha në një bisedë për këtë çështje se bllokimi vjen kryesisht nga grumbullimi në agjencinë qendrore të vendimeve nga e gjithë Shqipëria. E gjithë kjo zallamahi vjen pas një urdhri të çuditshëm e të dyshimtë të ish zëvendëskryeministrit Ilir Rusmali. Kjo praktike është sa absurde aq edhe e panevojshme pasi agjencitë rajonale janë përgjegjëset e vetme ligjore të vendimeve të kthimit të pronave, gjë që bën të pavlefshëm juridikisht verifikim nga agjenci praktika që ka bllokuar tërësisht procesin e pronave. Duket sikur një dorë e padukshme ka ndërtuar një administratë të tërë që synon sabotimin e këtij procesi, gjë që mund të evidentohet lehtë në papërgjegjshmërinë e kryerjes së detyrës dhe sidomos indiferencën dhe harbutërinë e manifestuar me të zotët e pronave. Mosrespektimi i afateve kohore të parashikuar me ligj për përpunimin e dosjeve dhe marrjen e vendimeve është pa dyshim shprehja më e qartë e mungesës në masë të vullnetit të kësaj administrate për kthimin dhe kompensimin e pronave. Ka edhe një fenomen tjetër që lidhet me korrupsionin në proces. Personalisht, kam rreth katër muaj, qëkur ka mbaruar afati ligjor që pres një përgjigje për një nga pronat e familjes sime dhe çuditërisht më janë ofruar dhjetëra oferta për ta shitur, edhe pse askush nuk e di që kam një pronë dhe aq me tepër ta kem nxjerrë në shitje. Madje, një agjenci ruse e blerjeve të pronave që vepron në Tiranë (kohët e fundit janë hapur shumë të tilla) më ofroi edhe ndihmë në AKKKP në shkëmbim të një kontrate paraprake shitblerjeje me të. Ku e marrin këta sekserë informacionin për pronat dhe pronarët e tyre ende pa iu kthyer të zotëve, natyrisht nga administratat e AKKKP-së. Çdokush mund ta kuptojë lidhjen, agjencia dhe administrata e saj janë kyçi i problemit. Ka një praktikë të tillë. Agjencitë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave vonojnë procesin e njohjes së pronave, ndërkohë njoftojnë agjencitë imobilare për vendndodhjen dhe pronarët e tyre një marrëveshje që synon shitjen e tyre për një copë buke, duke shfrytëzuar mërzitjen e pronarëve nga pritja pa fund e një përgjigjeje nga AKKKP-ja. Janë të paktë ata që do t’i rezistonin një marrëveshjeje të tille për mundësisë për të mos e marrë kurrë pronën sipas ligjit. Nuk e di për kë e ka fjalën zoti Berisha kur flet për mafian e pronave, por sigurisht kjo që unë ju tregoj, është pa dyshim një praktikë mafioze ku pjesëtarë të administratës kanë marrë përsipër rolin e gangsterit.

***

Gjithsesi, kjo që theksova është pjesa ordinere e problemit. Ai që ngelet shqetësues është impakti dhe kostoja politike e dështimit të një procesi të tillë. Duke e vlerësuar reagimin e qeverisë, mendoj se largimi i drejtorëve është një masë e pamjaftueshme për të ndryshuar këtë situatë tejet kërcënuese. Tani, 19 vjet pas rënies së diktaturës, retorika antikomuniste është e pavlefshme pa aksionin politik e praktik të zgjidhjes së problemeve. Akti i parë që mund të bënte qeveria mund të ishte zhvleftësimi i “fermanit” Rusmali që do t’u kthente agjencive rajonale autoritetin dhe përgjegjësinë për misionin e tyre, si dhe marrja e masave ndaj zyrtarëve që nuk respektojnë kufijtë ligjorë do të ishin të vetmet në planin administrativ. Mirëpo, mendoj se nuk duhet anashkaluar edhe prapavija politike e kësaj situate. Individë apo grupime brenda PD-së dhe administratës, që ditën pengojnë procesin e pronave dhe natën furnizojnë mediat antiqeveritare me lajme për korrupsionin e qeverisë, nuk mund të injorohen dot nga Berisha, sidomos në këtë prag zgjedhjesh. Në fund të fundit, si gjithmonë, do të jetë ai personi që do të dalë të kërkojë votën në qershor. Për “fermanin” e Rusmalit dhe shkopinjtë e tjerë nën rrota të politikës dhe administratës nuk kanë dijeni shumë njerëz. Pronarët dhe të përndjekurit i kanë sytë tek Ai.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›