Censusi, INSTAT: Të dhënat gati në muajin maj
Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT-it, Ines Nurja deklaroi dje se tashmë ka përfunduar skanimi i pyetësorëve për qytetet e mëdha, si Tiranë, Durrës etj
Të dhënat e plota të “Censusit 2011”, të regjistrimit të popullsisë dhe banesave do të publikohen më datë 1 tetor të këtij viti. Drejtoresha e Institutit të Statistikave, Ines Nurja, gjatë seminarit teknik mbi analizat tematike/studimet mbi të dhënat e Census-it të Popullsisë dhe Banesave 2011, tha se deri më tani janë bërë publike të dhënat paraprake të marra nga anketuesit, ndërsa në vijim do të bëhet verifikimi i plotë i tyre. Sipas saj, numri i banesave në këto dhjetë vjet është rritur me 34 përqind, ndërsa ka rënë numri i pjesëtarëve për familje nga 4.2 në 3.8. Nga të dhënat paraprake, rezulton se popullsia që banon në territorin e Shqipërisë është 2,831,741 banorë. Krahasuar me vitin 2001 numri i popullsisë në vitin 2011 është zvogëluar me 7.7 për qind gjatë këtij dhjetë vjeçari. Nurja theksoi se supozohet që shkaqet kryesore të zvogëlimit të popullsisë janë emigrimi në shkallë të gjerë dhe rënia e lindshmërisë. Popullsia rezidente është e përbërë nga 1,421,810 meshkuj ose 50.2 % dhe 1,409,931ose 49.8 % femra. Vlerësimi paraprak i numrit të popullsisë që kanë refuzuar këtë census është 29,355 për qind. Për herë të parë në historinë e censuseve të kryera në Shqipëri, që datojnë që në vitin 1923, popullsia e cila jeton në zonat urbane, është më e madhe se ajo në zonat rurale. Sipas të dhënave paraprake të këtij censusi, rezulton se 53.7 % jetojnë në zonat urbane dhe 46, 3 % në zonat rurale. Numri gjithsej i banesave në Shqipëri është në vitin 2011 1,075,881 nga 785,515 që ishte në censusin e kaluar. Pra që nga viti 2001 e deri më sot kemi një rritje të numrit të banesave me 37 %. Censusi numëron njerëzit që jetojnë në Shqipëri, përfshirë rezidentët e huaj, të gjithë që kanë qëndruar minimumi 1 vit, ose me qëllim për të qëndruar të paktën një vit. Vetëm diplomatët nuk do të numërohen. Për këtë proces masiv në terren janë printuar 40 milion faqe materiale censusi dhe po punojnë 12 mijë anketues, 2 330 kontrollorë, 128 mbikëqyrës 36 koordinatorë lokalë. Aktualisht në të gjithë Shqipërinë janë 374 zyra censusi dhe 11 në Tiranë që punojnë çdo ditë pa ndërprerje, të aftë për të zgjidhur çdo situatë në terren. I gjithë procesi kushtoi 14 milionë euro.