Listës së shpifësve zyrtarë të Edvinit i shtohet edhe Erjon Braçe

Gjykatat shqiptare po listojnë “vullnetarët” që u përdorën nga Rama për politikën e tij të shpifografisë. I fundit i klasifikuar është Erjon Braçe, të cilit “podiumi i shpifjes” në PS do t’i kushtojë 10 milionë lekë
Zyrtarisht edhe deputeti Erjon Braçe pajiset nga gjykata me “çertifikatën e shpifësit të deklaruar”, përmes një gjobe prej 1 milionë lekë të reja. Gjithçka i referohet akuzave të një viti më parë që deputeti Braçe hodhi në drejtim të deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, të cilat sipas vendimit të gjykatës janë të pabaza si dhe janë shpifje për shkak të detyrës. Albana Vokshi në kërkesën-padi pretendonte se shpifjet në emrin e saj i kanë cenuar dinjitetin asaj dhe të familjes. Ajo i referohej deklaratave në të cilat emri i Vokshit përmendej si e përfshirë në afera korruptive duke abuzuar me detyrën dhe deklarim të rremë pasurie. Akuzat e socialistëve u bënë në mënyrë të programuar, ndërsa në ritualin e shpifjes u përfshinë plot 8 ligjvënës të Kuvendit. Gjykatësja Fatime Decolli, e cila kryesoi trupin gjykues që shqyrtoi padinë e deputetes Vokshi, vendosi rrëzimin e “provave” të paraqitura nga Erjon Braçe, të cilat s’ishin gjë tjetër veç akuza që riartikuloheshin edhe në sallën e gjyqit, pasi kishin kryer funksionin e lavatriçes në mediat e shkruara dhe ato vizive. Në një reagim të tij, deputeti Braçe e kundërshtoi vendimin e gjykatës, ndërsa paralajmëroi për një fushatë më të egër shpifjesh dhe trillimesh, pa marrë parasysh ngritjen e një tjetër padie penale, ku masa e gjobës për dëmshpërblim mund të jetë edhe më e majme se 10 milionë lekë të vjetra. Dënimi i një deputeti opozitar nuk është më një zhvillim i papritur dhe një proces i papajtueshëm për një përfaqësues të popullit. PS përbëhet nga militantë të theksuar të shpifjes dhe propagandës së gënjeshtërt dhe për këtë arsye, deputetët socialistë kanë marrë dënimet e merituara nga gjykatat në vend. Deputetja Albana Vokshi deri më tani ka fituar gjyqet me deputetët Eduart Shalsi, Sajmir Tahiri dhe Artan Gaçi dhe së fundmi me Erjon Braçen, ndërsa ka paditur dhe 6 deputetë të tjerë socialistë si Vasilika Hysi, Eltar Deda, Taulant Balla, Mimi Kodheli, Olta Xhaçka dhe Besnik Barja. Ndërkaq, lista s’ndalet me kaq, pasi dhe mjaft deputetë të tjerë të selisë rozë, janë paditur për akuzën e shpifjes.
Të dënuar nga Gjykata për “shpifje” ndaj deputetes Albana Vokshi
Eduart Shalsi - 10 milionë lekë
Sajmir Tahiri - 33 milionë lekë
Artan Gaçi - 20 milionë lekë
Erjon Braçe - 10 milionë lekë
Në proces gjykimi
Vasilika Hysi
Eltar Deda
Taulant Balla
Mimi Kodheli
Olta Xhaçka
Besnik Bare