Malaj: Do punoj në Kukës, por nuk pranoj kandidimin si deputet

Shtohen dyshimet e anëtarëve të kryesisë rreth vendimeve të asamblesë kombëtare të PS
Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste Arben Malaj, refuzon të jetë pjesë e listës së deputetëve në Kukës, pas vendimin politik të lidershipit socialist për ta deleguar atë në këtë Qark. Në një reagim zyrtar për mediat, Malaj tha se do punojë në qarkun e Kukësit, por nuk pranojë të kandidojë për deputet atje. “PS bashkë me aleatët e saj, ka një përgjegjësi për të ndihmuar rotacionet. Nuk jemi larg ballafaqimit elektoral. Sigurisht që ne si anëtarë kryesie zgjidhemi nga asambleja kombëtare dhe që në këtë moment, pra në momentin kur të kanë mandatuar, posibiliteti për të punuar duhet të jetë ui barabartë për të gjitha pjesët e vendit. Normalisht që kemi një përgjegjësi të madhe, pasi kryesia e PS po punon në thuajse të gjithë vendin. Unë nuk mund të jem hipokrit me socialistët e veriut, por vlerësimi im është që disa zona të vendit, zona më ekstreme, veri apo jug, duhet të kenë përfaqësuesit e tyre. Duhet të provojnë politikanët e tyre. Unë besoj se e meritojnë. Ajo që kam deklaruar është se si anëtar i kryesisë do punoj me çdo kusht. Por, do të ishte jo korrekte që ky kontribut i imi, do ishte thjesht për të marrë një mandat”- u shpreh Malaj. Deputeti socialist, argumenton vendimin, duke thënë se lista proporcionale e bën të domosdoshme përfaqësimin e qarqeve me deputetë që kanë lidhje më të fortë me votuesit e zonës. Zyrtari i lartë socialist, e sheh veten të pashkëputshëm nga Vlora dhe elektorati i saj. Në këtë aspekt ai thotë se nuk do të shkëputet asnjëherë nga ky Qark.