Trashani: Rama, organizator i dhunës së 21 janarit, të përgjigjet sulmin ndaj Kryeministrisë
Kuvend
Mazhoranca iu rikthye dje në Kuvend hetimeve për 21 janarin, duke akuzuar dhe njëherë kryetarin e PS, Edi Rama si organizator të dhunës. Deputetja e PD, Arenca Trashani u shpreh se kreu i opozitës ishte shkaktari i dhunës në ngjarjet e një viti më parë. “21 janari i 2011 do të mbahet mend që për 5 orë rresht Edi Rama orkestroi dhunë kundra institucioneve shqiptare. Çdo gjë ai e kishte të paralajmëruar më parë. Më 20 janar Edi Rama deklaroi se populli do të tejkalojë opozitën. Rama i la vetëm ato, Edi Rama i la njerëzit vetëm. Edi Rama është njeriu që orkestroi sulmin ndaj institucioneve kushtetuese, orkestroi një sulm kundër demokracisë. Them orkestroi sepse vetë u fsheh si frikacak dhe turri njerëzit e pafajshëm në drejtim të institucioneve. Pas një viti, akoma s’ka patur burrërinë t’i kërkojë falje shqiptarëve”- u shpreh Trashani. Deputetja e PD, akuzoi Prokurorinë si palë me organizatorët e dhunës, pasi sipas saj, devijimi i hetimeve dhe shmangia e përgjegjësve nga hetimi, konfirmon pikërisht partneritetin e puçit të shtetit, që nisi një vit më parë. “Cili është ai prokuror në botë që pas një batërdie ndaj institucioneve, lëshon urdhër arresti për gjithë zinxhirin e gardës? Megjithatë, ne do të vazhdojmë të kërkojmë zbardhjen e detajeve të ngjarjes”- tha Trashani. Diskutimet në Kuvend vijuan dhe me kundërpërgjigjen e opozitës, të cilët akuzuan për ngjarjet e fundit kriminale. “Dhuna, shkatërrimi i pronës janë bërë pjesë e jetës sonë. Pasiguria është bërë ritual i ditës. Vrasjet seri nuk kanë të ndaluar, vriten njerëz të pafajshëm”- tha deputeti socialist, Gazmir Bizhga.