Reforma Zgjedhore, Gjana: Jo ndryshim të sistemit zgjedhor

Dy partitë e mëdha duket se kanë vendosur të punojnë privatisht mbi modalitetet e reformës së re zgjedhore, por nuk mungojnë takimet e PD dhe PS në prani edhe të përfaqësuesve të OSBE/ODIHR, që janë edhe autorë të hartimit të Kodit Elektoral. Deputeti demokrat dhe njëherazi eksperti për çështjet zgjedhore, deputeti demokrat Jemin Gjana thotë se po punohet për propozime konkrete megjithëse ende nuk ka një vendim për t’u ulur drejtpërsëdrejti në tryezë forcat politike. “Janë duke punuar me njëri-tjetrin dhe janë duke punuar edhe me përfaqësues të OSBE/ODIHR që janë edhe aktorët e kësaj reforme. Unë nuk besoj se sot për sot është dikush që mund të thotë se kush do të jenë termat e referencës mbi të cilat do të operohet për reformën zgjedhore, sepse gama e opsioneve që janë shtruar, por që ende s’janë axhendë pune, janë të shumta”- u shpreh Gjana. Sa i përket afatit të vendosur në paktin e Ramës për reformën zgjedhore, Gjana shprehet se s’mund të vihen afate kur ende s’ka iniciativa konkrete në tryezë. “Unë nuk besoj se ende pa u ngritur një komision dhe ende pa u saktësuar axhenda e punës, termat e referencës mbi të cilat do të punohet në komision, çështjet që do të diskutohen, nuk besoj se kanë nevojë për afate. Kjo do të varet nga madhësia e punës që do t’i vihet këtij komisioni. Besoj se çështjet themelore të një baze ligjore në Shqipëri tashmë janë të zgjidhura”- deklaroi eksperti për çyshtet zgjedhore, Jemin Gjana. Ai komenton dhe debatet lidhur me sistemin zgjedhor. Gjana thotë se nuk ndryshohet sistemi zgjedhor sa herë ka zgjedhje të përgjithshme. Si ish hartues i kodeve të mëparshme elektorale, Gjana thotë se nuk ndërrohen sistemet kur me të janë kryer vetëm një palë zgjedhje. “Le ta lëmë proporcionalin rajonal të konfirmojë veten sugjeron ai. Nuk ndryshohen sistemet sa herë që ka zgjedhje. Përveçse që ka një praktikë botërore e cila në Shqipëri në fakt nuk është respektuar. Kur bëhen ndryshime të thella në sisteme zgjedhore, nuk bëhen për mandatin ose për zgjedhjet e radhës. Bëhen për një palë zgjedhje më tutje me qëllim që aktorëve as mos tu jepet mundësia që të ndikojnë në zgjedhjet e radhës në favor të një pale ose një pale tjetër, po dhe për tu dhënë mundësi aktorëve që të përgatiten për një palë zgjedhje që janë për një mandat tjetër më shumë. Nuk besoj se Shqipëria ka luksin që sa herë të ketë zgjedhje të përgjithshme të ndryshojë kodin elektoral”- tha Jemin Gjana. Gjana thotë se debati për Reformën Zgjedhore në formën sesi ka nisur po politizohet dhe po i largohet diskutimit teknik që në të vërtetë nevojitet. Duke iu referuar punës për reformën zgjedhore, në fillim të javës shefi i qeverisë zoti Berisha është shprehur se po negociohet dhe se mazhoranca është e hapur të bashkëpunojë me opozitën për këtë çështje.
...