E Shtunë, 31 Tetor 2026

Censusi, sa jemi?!

 Në këtë regjistrim, përfshihen vetëm ata shtetas që jetojnë të paktën në 12 muajt e fundit në vend. Procesi i kontestuar jo pak dhe i vlerësuar tejet shumë nga kryeministri Sali Berisha, përfundoi në fund të tetorit.

Rezultatet paraprake u bënë sot publike nga drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, e cila se megjithatë, në të dhënat përfundimtare mund të ketë ndryshime në shifra. Bazuar në të dhënat paraprake të  Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011, rezulton se popullsia e Shqipërisë është 2,831,741 banorë. Ndërkohë që numri i popullsisë nga Censusi i vitit 2001 ishte 3,069,275.

“Vihet re se numri i popullsisë në  vitin 2011 është zvogëluar me  7.7% gjatë këtyre dhjetë vjetëve. Supozohet që shkaqet kryesore të zvogëlimit të popullsisë janë emigrimi në shkallë të gjerë dhe rënia e lindshmërisë. Vlerësimi paraprak i numrit të personave që kanë refuzuar në këtë census është 29,355 (1.04 %)”, sqaroi Nurja.

Për sa i përket numrit të banesave, në Shqipëri bazuar mbi këto të dhëna ekzistojnë 1,075,881, ndërsa në vitin 2001, numri i banesave ishte 785,515. Përqindja e rritjes së numrit të banesave në krahasim me vitin 2001 është 37.0%. Nga të dhënat paraprake, rezulton se numri i ndërtesave është 686,405. Në vitin 2001 ky numër ishte 512,387, që nënkupton një rritje prej 34.0%.

Gjithashtu në këtë census janë numëruar 740,256 njësi ekonomike familjare (Nj.E.F), ndërkohë që në vitin 2001 kjo shifër ka qenë 726,895. Numri mesatar i pjesëtarëve të një Nj.E.F-je është 3.8. Në censusin e vitit 2001 ky tregues ishte 4.2. Numri mesatar i pjesëtarëve për Nj.E.F në zonat urbane është 3.6 nga 3.9 që ishte në vitin 2001. Nga ana tjetër,  në zonat rurale ky tregues është 4.1 nga 4.5 që ishte në vitin 2001”, vijoi ajo.

Një fakt tjetër interesant është që për herë të parë në vendin tonë, popullsia urbane është më e lartë se ajo rurale. “Për herë të parë në historinë e censuseve të kryera në Shqipëri popullsia e cila jeton në zonat urbane është më e madhe se ajo në zonat rurale. Kështu, 53.7% e popullsisë jeton në zonat urbane dhe 46.3% në zonat rurale”, tha drejtoresha e INSTAT.

Berisha vlerëson procesin e censusit

Për këtë proces, foli edhe kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë, duke e vlerësuar si procesin e parë modern në vend. Kryeministri e konsideroi shqetësues faktin që ka një zvogëlim të popullsisë në vend. “Ritmet e shtimit të popullatës janë akoma të mira. Ka një tendencë për rënie, por në çdo moment kërcënimi qeveria është e gatshme të mbështesë politikat demografike. Por nuk kemi pse t’i vendosim në rendin e ditës aktualisht”, u shpreh ai.

Berisha vlerësoi si mjaft pozitive faktin që sipas rezultateve të Censusit, popullata e qyteteve dominon mbi zonat rurale. “Ne për shumë arsye të njohura kemi qënë një vend kryesisht rural. Ne mbetëm një komb rural për të siguruar ekzistencën, se nuk ka patur tokë më të lakmuar se toka jonë. Lëvizja e madhe drejt urbanizimit të këtyre viteve është oguri më i bardhë për të ardhmen e kombit. Kombet urbane janë kombe të cilat ndërtojnë mëkëmbjen, prosperitetin dhe të ardhmen”, u shpreh ai.

“Unë u gëzova shumë kur pashë rezultatet e këtij regjistrimi, i cili dëshmon se aktualisht 53.7% e shqiptarëve jetojnë në zona urbane dhe 46.3 në zona rurale. Dua të theksoj se ky proces shndërrimi i madh ka sjellë 2 apo 3-fishimin e qyteteve të mëdha”, tha.

/S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-12-21 11:15
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›