E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, sekuestro pronave të nënës së trafikantit prej 650 mijë €

Policia e Shtetit bëri me dije se nga operacioni i koduar “Lotari e rreme”, janë sekuestruar, një apartament me sipërfaqe 120 metër katrorë në qytetin e Fierit, pronë e shtetases Teferi Hamzaraj, një sipërfaqe trualli 782 metër katrorë në komunën Cakran, një pikë karburanti në komunën Cakran me sipërfaqe 150 metër katrorë, disa garazheve, një palestër, bar-kafe, si dhe të gjitha pajisjeve të ndodhura në këto aktivitete. Në total vlera e aseteve të sekuestruara është rreth 650 mijë euro.

Nga një hetim intensiv dhe profesional i Sektorit Kundër Pastrimit Parave në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore Task-Forcë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, ka rezultuar se djali i shtetases Teferi Hamzaraj, konkretisht shtetasi Fatos Xhavit Hamzaraj, 29-vjeç, rezident në Angli, është arrestuar nga autoritetet e zbatimit të ligjit në këtë shtet, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal me tendencën e trafikut të lëndëve narkotike.

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal ka rezultuar se shtetasi Fatos Hamzaraj, për një periudhë prej rreth tre vjetësh, të ardhurat e përfituara në mënyrë të paligjshme nga trafiku i lëndëve narkotike, i ka transferuar tek familjarët e tij në Shqipëri, përmes transfertave bankare dhe kesh, dhe këta të fundit janë mundur t’i justifikojnë si para të ligjshme dhe t’i investojnë në biznese, bar kafe, karburant, apartamente, palestër, etj.

Në ngarkim të shtetasit Fatos Hamzaraj është regjistruar Procedimi Penal nr. 322 i vitit 2011 për veprën penale “Pastrim i produkteve të Veprës Penale”. Bazuar në materialet e grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë, nga Gjykata e rrethit Gjyqësor Fier është vendosur masa e sekuestros për pronat dhe llogaritë bankare të këtij shtetasi dhe familjarëve të tij. /S.Ll/Start

                                                                                             2011-12-21 14:47
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›