“Censusi s’do dështojë, shqiptarët të shprehin gjuhën e bashkimit”

Shpëtim Idrizi, kreu i PDIU, bashkëbisedon me studentët
Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi mbajti një leksion përpara studentëve të Universitetit Epoka, i ftuar në forumin e hapur “Diskutojmë Censusin”. Aty, Idrizi sqaroi se përse PDIU vendosi që të ndalonte konceptin e vetë-deklarimit në Census dhe të objektivizonte procesin, nëpërmjet amendamenteve të saj, të cilat ndalojnë deklarimin e rremë të kombësisë në Census. Idrizi theksoi se nuk duhet të ketë ndarje mes shqiptarëve, as për sa i përket etnisë, as fesë e as dialekteve. “Sami Frashëri deklaronte një shekull më parë se shqiptari, mysliman qoftë, ortodoks qoftë, katolik qoftë, është gjithnjë shqiptar. Besa nuk sjell kurrë ndarje e çarje në mes të tyre. Këto fjalë sot janë më shumë se të kohës. Censusi i popullsisë nuk mund të na ndajë në shqiptarë, grekë, vlleh e malazez. Nuk mund të na ndajë në mysliman, ortodoks, katolik, bektashi apo bahai. Dhe pa pandehur kemi dy ditë që flasim edhe për gegë dhe toskë. Sot, rikujtoj thënien e një ambasadori mik të shqiptarëve, i cili kërkoi nga shqiptarët të flasin gjuhën e bashkimit dhe sot të gjithë duhet të flasim atë gjuhë. Është sërish i njëjti ambasador, e kam fjalën për ambasadorin e Bashkimit Evropian, i cili pak kohë më parë, kur Shqipëria ishte në tension për 10 vota, kërkoi qe të vendosen interesat kombëtare mbi interesat e partive, pra një ambasador i huaj i kërkon klasës politike shqiptare që të jetë patriote shqiptare. Mund të kuptojmë lehtë se si funksionon politika shqiptare”, deklaroi Idrizi. Ai shtoi se të gjithë këto vijnë si pasojë e nje mungese patriotizmi ose patriotizmi të shtirur dhe vijoi se PDIU vendosi që të ndjekë rrugën ligjore për të vendosur në vend të drejtat e shqiptarëve. “Për të ndaluar të gjitha këto PDIU-ja, kjo parti doktrine kombëtare, parti e patriotizmit modern shqiptar propozoi amendamentet e ligjit për regjistrimin. Ne shfrytëzuam faktin se jemi parti që kushtëzon ekzistencën e mazhorancës dhe imponuam ndryshimet tona të konsultuara me ekspertët më të mirë kushtetues dhe të tjerë. Ne nuk zgjodhëm rrugët propagandistike. Ne nuk bëmë propagandë, por aksion politik. Ne bllokuam ligjërisht përpjekjet politike të atyre faktorëve ndërkombëtarë që treguam më sipër”, tha ai. Idrizi theksoi se ky kërkesat për census me vetë deklarim janë që në koncept të gabuara dhe se kemi të bëjmë me vetë-deklarim dhe jo vetë-përcaktim. “Mungon një koncept ligjor i qartë dhe objektiv i kombësisë. Ajo duhet të saktësohet vetëm në zyrën e gjendjes civile mbi bazën e dokumenteve dhe jo mbi bazë vetë shpalljesh momentale të frymëzuara nga emocionet apo nga shtrëngesat e tranzicionit. Të drejtat individuale të çdo minoritari në Shqipëri, përftohen vetëm e vetëm duke e objektivizuar statusin tënd prej minoritari në zyrën e gjendjes civile. Nëse prej regjistrimit, gjithçka mbetej anonime, çfarë të drejtash mund të kërkojë një anonim? Apo do të bëhej fjalë për të drejta kolektive? Ku mbështeten të drejtat kolektive të minoritetit? Tek cila konventë? Fryma moderne e konventave të sotme e vë theksin tek të drejtat individuale”, deklaroi më tej, Idrizi.
...