E Diel, 1 Nëntor 2026

“Opozita të heqë dorë nga bojkoti për ligjet në Kuvend”

20-10-2011 / Gazeta 55

Drejtori i përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Europian, Stefano Sannino


Drejtori i përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Europian, Stefano Sannino i bën thirrje opozitës shqiptare të heqë dorë nga bojkoti për ligjet e cilësuara në Parlament. Qëndrimi i radhës i përfaqësuesit të Bashkimit Europian vjen nga Shkupi ku ishte i pranishëm në  tryezën me temë “Sfidat Evropiane të Vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Sannino bëri thirrje për realizimin e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian, të cilat u paraprinë edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian. Sannino vlerësoi arritjet dhe standardet e plotësuara nga qeveria shqiptare, si një kornizë e qëndrueshme arritjesh, mbi të cilën duhet ndërtuar progresi në procesin e integrimit, duke tejkaluar bojkotin opozitar. “Deri tani, forcat politike nuk kanë konkretizuar vullnetin për të gjetur një kompromis, por BE-ja është e gatshme të ndihmojë Shqipërinë edhe nga partitë e mëdha të Parlamentit Europian”, tha Sannino, duke vënë theksin në faktin se ka mungesë të vullnetit politik për kompromis. Ai deklaroi se Shqipëria duhet të përfitojë nga koha e humbur dhe se BE ka vullnet për të ndihmuar Shqipërinë. Sannino përsëriti dhe njëherë se Bashkimi Evropian ka vullnet për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e integrimit, ndërsa në dhjetor të këtij viti mund të ketë një vlerësim pozitiv porsa i takon statusit të vendit kandidat. Po ashtu, sekretari i përgjithshëm i Drejtorisë për zgjerim të BE-së, Stefano Sannino, theksoi se vendet e rajonit të Ballkanit duhet të punojnë më shumë në realizimin e reformave të parapara nga Komisioni Evropian. “Vendet nga rajoni, përfshirë edhe Maqedoninë, deri në raportin e ardhshëm për progres, duhet të fokusohen në reformat në gjyqësor dhe administratën publike, lirinë e të shprehurit, përshpejtimin e bashkëpunimit rajonal dhe qëndrueshmërisë ekonomike”, tha Stefano Sannino. Sipas tij, rekomandimi i përsëritur për Maqedoninë tregon se Brukseli i njeh përpjekjet e qeverisë, ndërsa përfitimet pranohen dhe mbështeten. Ndër të tjera sekretari i përgjithshëm i Drejtorisë për zgjerim të BE-së theksoi se Maqedonia së shpejti do të fitojë datë për fillim të negociatave.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›