Centrale elektrike me erë në Llogorasë e Karaburunit

Vendimi është marrë gjatë ditëve të fundit dhe konsiston në ngritjen e dy impianteve të mëdha në zonat turistike të Karaburunit dhe Llogorasë.
Kompania private, që ka marrë këto ditë licencën për ndërtimin e centraleve, ka fituar të drejtën e shfrytëzimit të këtyre zonave për një afat prej 30 vjetësh.
Më parë, kompania duhet të plotësojë disa kritere që lidhen kryesisht me studimin e fizibilitetit dhe me impaktin në mjedis.
Deri tani, ERE nuk ka bërë ende publike kapacitetin prodhues të centraleve elektrike me erë që do të ndërtohen nga shoqëria që ka marrë licencën, e dyta për nga karakteri i këtij aktiviteti.
Megjithatë, në raportet e fundit të Entit Rregullator të Energjisë thuhet shprehimisht se prodhimi i energjisë nga era do të nisë në mesin e vitit 2009, duke shtuar më tepër kuotat e prodhimit vendas të energjisë elektrike.
Aktualisht, sistemi ynë energjetik varet në masën 98 për qind nga hidrocentralet, të ndërtuara para viteve ‘85.
Nga studimet e kryera deri tani rezulton se zona të tjera, përveç Llogorasë dhe Karaburunit, kanë mundësi të mëdha në prodhimin e energjisë nga era (Durrësi dhe Lezha).
Për sa i përket “Enpoëer Albania”, kompani italiane që ka fituar të drejtën e ndërtimit të centralit, mësohet se një pjesë e prodhimit do të shkojë për eksport drejt Italisë, nëpërmjet linjave nënujore që do të shtrihen përgjatë detit Adriatik.
Edhe pse ERE nuk jep një të dhënë rreth fuqisë prodhuese, burime nga kompania janë shprehur kohë më parë se kapaciteti që pritet të instalohet do të jetë 500 Më, ndërsa eksporti parashikohet të nisë në 2010-ën.
Në nëntor të vitit të kaluar, licenca e parë për këtë sektor prodhimi të energjisë iu dha shoqërisë “Hera”, e cila ka planifikuar ta ndërtojë centralin energjetik në zonën e Kapshticës dhe Bilishtit.