Ditëlindja e 100-të e Enverit, drekë në shtëpi

Pritjet dhe përcjelljet për tri ditë me radhë kanë qenë të lodhshme, por dhe të bukura për familjen Hoxha, në mënyrë të veçantë për bashkëshorten, Nexhmijen.
Rekordin e vizitave e kanë shënuar kosovarët dhe maqedonasit. Madje, përfaqësi të tyre kanë qenë për vizitë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Gjirokastër.
Përgjatë gjithë ditës, duke nisur nga ora 10:00 deri në darkë, është kujtuar Enver Hoxha dhe 100-vjetori i tij i lindjes. Në orën 10:00 në varreza janë çuar lule jo vetëm nga familjarë, por edhe nga simpatizantë dhe pjesëtarë të Partisë Komuniste.
Shtëpia e bashkëshortes, Nexhmije Hoxha, ngjasonte me një muze të madh, ku në qindra fotografi, piktura apo skulptura shfaqej Enver Hoxha mes fëmijëve, nipërve, mbesave dhe njerëzve më të afërt.
Fotografi të varura në mur gjenden në hyrje të shtëpisë, një libër, ku secili mund të hedhë kujtimet e tij, shënimet personale apo edhe fraza të thjeshta.
Korniza të shumëllojshme, shumëngjyrshme, zbukurojnë fotografitë e bëra gjatë ditëve të zakonshme, festave apo evenimenteve të rëndësishme. Në sallon korniza që tërheq më shumë vëmendjen është një fotografi e familjes së madhe Hoxha.
Pas pjesëtarëve të familjes, qëndron pema e Vitit të Ri, e cila në majë mban zbukurime në formë numrash, të cilat bashkë formojnë vitin 1984.
Të gjithë vizitorët i shikojnë me vëmendje, si për të kuptuar diçka më shumë nga rrjedhja e ngjarjeve në ato vite. Vizitorët shikojnë plot kureshtje bibliotekën e madhe, ku gjenden të rreshtuara në mënyrë të rregullt veprat e Enver Hoxhës.
Por jo vetëm ato, në bibliotekë qëndrojnë vepra të tjera të figurave të shquara të letërsisë shqiptare. 100-vjetori i Enver Hoxhës, është festuar në familje.