Evazioni 300 milionë lekë, ndjekje penale 3 subjekte
ELBASAN- Gjatë një aksioni të policisë tatimore në bashkëpunim me Drejtorinë e Investigimit u bllokua një sasi prej 1 ton bojërash, të cilat qarkullonin pa dokumentin shoqërues. Sipas kreut të tatimeve, Skënder Daja, kontrollet në akset rrugore nacionale janë në vazhdim për të mos lejuar qarkullimin e mallrave pa dokumente. Malli i konfiskuar u vendos në magazinat e degës së tatimeve, nga ku do të dalin në ankand. Firmës që i janë sekuestruar mallrat, do t’i jepet mundësia e para që t’i riblejë dhe më pas do t’i nënshtrohen ankandit. Gjithashtu, tatimorët i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë kontrollit të subjekteve të biznesit të vogël mbi xhiron. Kontrollet për matjen e xhiros reale do të përqendrohen në të gjitha bizneset e vogla. Daja konfirmoi se janë dërguar për ndjekje penale 27 subjekte private për mungesë dokumentesh, ndërsa 3 subjekte akuzohen për “evazion fiskal”. Tri firmat akuzohen se kanë shmangur detyrimet tatimore me një vlerë rreth 300 milionë lekësh të reja. Ndaj tyre kanë nisur hetimet dhe çështjet kanë përfunduar në gjykatë, e cila pritet të marrë një vendim. Ndërkaq, po dje, policia ka prangosur Servet Dishën, pasi po transportonte një sasi drush pa dokumentacionin përkatës. Pas kontrollit rezultoi se ai kishte falsifikuar lejen e transportit dhe datën e kolaudimit. Disha, lindur në Librazhd e banues në fshatin Lekaj në Kavajë, drejtonte automjetin tip IFA, me targa KJ 0786 A, të ngarkuar me lëndë drusore.