E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patenta, orët e reja të teorisë dhe praktikës

Kursi i patentës do të zgjatet në dy muaj, ndërsa kostoja totale për pajisjen e lejes së drejtimit arrin në 45 mijë lekë.

Tashmë orët për kryerjen e teorisë dhe praktikës do të jenë të ndara nga njëra-tjetra, secila me nga 54 orë (klasi B), kategori patente që preferohet më tepër për drejtuesit e rinj të automjeteve.

Dje ka hyrë në fuqi udhëzimi i Ministrisë së Transporteve, i cili i referohet organizimit dhe funksionimit të autoshkollave. I përbërë nga 13 nene, udhëzimi sqaron të gjitha hallkat që do duhet të kalojë aplikanti deri në marrjen e lejes së drejtimit të automjetit.

Kushti kryesor është marrja e provimeve të teorisë, të cilat kushtëzojnë me patjetër praktikën. Një aplikanti i jepet dy vjet kohë për marrjen e provimit të praktikës, në rast të kundërt, do të detyrohet që t’i kthehet sërish nga e para orëve të kursit të teorisë.

Kursi

Leja e drejtimit për autoveturat ka më shumë orë teorie për aplikantin, se sa kategoritë e tjera. Ky ndryshim vjen në kuadër të forcimit të masave gjatë trafikut rrugor. Më pak orë dhe ditë kanë kategoritë e autobusëve dhe trajlërave, kjo për faktin se aplikantët që kërkojnë marrjen e këtyre lejeve janë pajisur më parë me kategorinë B ose C (kamioni).

Konkretisht, kur personi i interesuar disponon leje drejtimi të kategorisë A dhe aplikon për leje drejtimi të kategorisë B, duhet t’i nënshtrohet përgatitjes së njohurive teorike prej 18 orësh, në jo më pak se 7 ditë.

E kundërta e kësaj, personi i interesuar nuk do t’i nënshtrohet përgatitjes dhe marrjes në prova të njohurive teorike. Për sa i takon praktikës, edhe në këtë pikë është ndjekur e njëjta logjikë.

Për kursantët e lejeve të drejtimit për kategorinë B, orët e praktikës janë më të shumta se për kategoritë e tjera.

 
Provimi

Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor përcakton anëtarët e komisioneve të marrjes në prova për leje drejtimin e mjetit.

Komisionet e kontrollit të njohurive teorike për leje drejtimi mjeti e realizojnë provën nëpërmjet testimit, për personat e interesuar. Koha e testimit nuk duhet të jetë më shumë se 45 minuta.

Kursantët fitojnë provën e kontrollit të njohurive teorike për leje drejtimi automjeti, kur i përgjigjen në mënyrë korrekte 30 pyetjeve ose më shumë, nga 40 pyetje që përmban testi.

Për sa i takon praktikës, aty ku dhe testi konsiderohet tepër i fortë, kursantit i lihen jo më pak se 25 minuta kohë dhe jo më shumë se 45 minuta kohë për të treguar nëse është i aftë të drejtojë mjetin.

Personat e interesuar për leje drejtimi mjeti, nuk mund të merren në provë nga komisioni në rast se nuk kanë realizuar të plotë programin e njohurive teorike ose programin e plotë të praktikës, kursantët kanë të drejtë të paraqiten në provë deri në pesë herë, ndërsa mund të rifuten në provë pas 15 ditësh nga dita e provës që nuk kanë fituar.

Kur një person nuk fiton provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes, për një periudhë dyvjeçare, duhet të rifutet në provën e kontrollit të njohurive teorike.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›