E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Ditët e fundit të Kosta Trebickës

Pas mbylljes së dosjes pritet që prokuroria t’i kthejë familjes Trebicka sendet personale të biznesmenit të vdekur

KORÇË- “Kosta Trebicka vdiq për pasojë të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, por dhe të modifikimit që i kishte kryer mjetit të përshtatur për gjah”. Kështu është shprehur gjatë një konference shtypi prokurori i rrethit Korçës, Përparim Vukaj. Ai ka shpjeguar lëvizjet e Trebickës nga kryeqyteti në drejtim të juglindjes duke pohuar se më 11 shtator biznesmeni është nisur drejt Korçës. Ai është vendosur konkretisht zonës së Voskopojës ku do të ndalonte për gjah. Trebicka para se të mbërrinte në Korçë ka qëndruar në Elbasan ku ka takuar një mikun e tij. Rreth orës 19.30 të mbrëmjes të asaj dite ai ka pasur një ndalesë në qytetin e vogël të Maliqit ku ka takuar shtetasin Genci Sulejmani në hotel “Aspa” një mik të tij. Mandej ai ka shkuar në Voskopojë, ndërsa ka komunikuar dhe më bashkëshortene tij Brunelda Krasniqi. Ai është akomoduar në hotel “Akademia” në Voskopojë ku ka qëndruar në dhomën 107 të këtij hoteli, teksa i është shërbyer darka nga një kamerier i cili është pyetur për veprimet e viktimës. Në orën 5.30 të datës 12.09.2008 ai ka lënë hotelin dhe është parë nga roja i parkingut, shtetasi Jorgo Celiku, i cili gjithashtu ka dëshmuar për llogari të organit të hetimit në Korçë. Në orën 11.55 të po kësaj dite, ai ka komunikuar në telefon me bashkëshorten, ndërsa po atë ditë ai është parë në Lekas nga Mentor Islami, dëshmia e të cilit është arkivuar nga grupi i punës. Personi i fundit me të cilin ka pasur dhe telefonatën e fundit disa çaste para vdekjes tragjike ka qenë shoku i të ndjerit, shtetasi Ervin Hasko. Sipas deklaratës së tij në prokurori, Hasko ka pohuar se Trebcika i ka thënë se ndodhej për gjah në Voskopojë dhe kishte vrarë 10 thëllëza, ndërsa i ka pohuar gjithashtu se do të vriste dhe të tjera. Më pas do të shkonte në Voskopojë për të drekuar. Të gjitha lëvizjet e Trebickës orët e fundit të jetës së tij provohen nga një mori dëshmitarësh, të cilët kanë dëshmuar për grupin e hetimit si Idajet Mujollari, Petrit Lela, Skënder Feka, Gjergji Mullani, Ibrahim Asamllari etj. Prokuroria e ka cilësuar zyrtarisht të mbyllur këtë hetim, por dhe dosjen “Trebicka”, ndërsa pret t’i kthejë familjarëve të tij mjetin e modifikuar por dhe sende të tjera personale të sekuestruara në dobi të hetimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›