E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkoi të kalonte në kufi 5,6 milionë lekë, ndalohet

PASTRIMI I PARAVE/ Policia ndaloi një 45-vjeçare nga Fieri pasi nuk deklaroi paratë që zotëronte me vete

VLORË - Ndalohet nga sektori i krimit ekonomik 45-vjeçarja nga Fieri Mimoza Xherahu. Shtetësja u ndalua në portin e Vlorës pasi rezultoi se në çantën e saj ndodheshin 4,2 milionë lekë të reja dhe 20 mijë euro. Burime nga policia u shprehën se Xherahu nuk pranoi të jepte deklarata para kontrollit në një kohë që ligji detyron deklarimin e shumave mbi 10 mijë dollarë, të cilat janë para të thata.

Ngjarja

Mimoza Xherahu ishte nisur dje për në Brindizi dhe në portin e Vlorës kreu procedurat e radhës. Ndërkohë, nga ana e sektorit të pastrimit të parave ishte marrë sinjal për një person që do të kalonte sasi të mëdha parash nga ana tjetër e kufirit. E pyetur paraprakisht nëse kishte ndonjë deklarim për të bërë, Xherahu, e cila është nga Fieri, nuk tha asgjë. Më pas punonjësit e policisë ushtruan kontroll në çantën e saj dhe gjetën se ajo kishte me vete 4,2 milionë lekë të reja dhe 20 mijë euro. E pyetur për paratë, 45-vjeçarja, e cila rezulton se prej 7-8 vjetësh ishte emigrante me dokumente të rregullta në shtetin fqinj, u shpreh se paratë i kishte tërhequr në bankë dhe se i përkisnin asaj. Ndërkaq, mësohet se Xherahu është shprehur se mosdeklarimi ka ndodhur për shkak se shumën e parave ajo e ka cilësuar si diçka shumë personale dhe si rrjedhojë nuk kishte pse të jepte të dhëna. Pas kësaj, forcat e policisë e shoqëruan 45-vjeçaren në komisariat ku iu nënshtrua pyetjeve, si dhe verifikimeve për të vërtetuar nëse paratë janë tërhequr vërtet nga banka dhe nëse deklarimet e fierakes janë të vërteta.

Ligji

Të pyetur lidhur me këtë fakt, burime nga seksioni i krimit ekonomik shprehen se nga pikëpamja ligjore, çdo person i cili kalon një pikë kufitare mund të marrë me vete një shumë deri në 10 mijë dollarë. Mbi këtë shumë, duhet t’iu drejtohet bankave dhe të bëjë kalim përmes tyre, pasi nuk lejohet të kalohet kufiri. Një masë e tillë deklarohet se është marrë për të shmangur pastrimin e parave, si dhe probleme të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›