E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Politikës shqiptare i mungon sinqeriteti”

Intervistë me poeten e njohur Natasha Lako. Vargjet e Lakos “i sollën” Shqipërisë ftesën për në NATO

Natasha Lako, një emër tepër i lakuar në letrat shqipe. Një poete rrebele që kur merr në dorë penën, s’ka mik, shok, bindje, karshillëk. Ajo është vetvetja dhe vargjet e saj janë shëmbëlltyrë e vërtetësisë intelektuale. Energjike dhe gjithmonë kërkuese, jeta e saj përshkon një lumë pengesash të cilat ajo me punë, korrektësi, disiplinë, kurajo qytetare ka mundur t’i anashkolojë pa thyer rregullat e etikës, pa cënuar sadopak kodet e saj të punës për të rënë në servilizma apo... Eshtë ndër ta paktat femra shqipatre që në fillimet e levizjeve demokratike dha ndihmën e saj modeste por që më vonë u la në harresë për shkak të karakterit të saj serioz dhe duke qëndruar jashtë grupimeve me interesa meskine. Poezia për të është kryefjala e jetës, që gjallom shpirtin dhe jep forca në kërkim të së vërtetës, së bukurës, asaj që i mungon politikës shqiptare në përgjithësi. Sipas saj, t’i heqësh popullit shqiptar artin, poezinë, prozën, do të thotë t’i heqësh gjuhën shqipe dhe do të thotë të flasësh vetëm me gjuhën e shifrave, ku atëherë nuk do të kishte më qenie dhe ndërgjegjie shqiptare. Zoti është i të gjithëve, edhe dielli është i të gjithëve, edhe gjuha shqipe është e shqiptarëve.
Kush ka qenë e papritura më e madhe e jetës tuaj në krijimtari?
Ishte një kënaqësi shumë e madhe dhe shumë e papritur për mua, kur në një moment të madh historik të integrimit të Shqipërisë në botën perëndimore, dëgjova në deklaratën përshëndetëse të ambasadorit amerikan në Tiranë Withers të dhënë në konferencë shtypi (me këtë rast ftesën e Bukureshtit), të citoheshin tre vargje të një poezisë sime. Madje të një poezie që edhe unë në fillim nuk e përcillja shumë ndër mend. Ishin vërtetë momente tepër emocionuese, sepse ishte mjaft domethënëse. Unë nëpërmjet atyre vargjeve kuptova se iu dha një mesazh gjithë popullit shqiptar, me ftesën për hyrjen në NATO. Është paksa paradoksale që hyrja në NATO të ketë lidhje me poezinë lirike të një poeteje, por kjo poezi është shkruar për agimet. Është një poezi që është përkthyer në Hollandë në fillim të vitit 1990, ku e emocionuar, një piktore hollandeze i ka dedikuar një pikturë.Unë jam çuditur shumë, se me thënë të vërtetën, në jetën time nuk e kam përfillur shumë këtë poezi. Dhe kur kam shkuar në Hollandë, jam çuditur kur një piktore hollandeze kishte bërë një pikturë pikërisht me këtë motiv të kësajë poezie dhe kjo ishte çudia e pare. Çudia e dyta, pikërisht kur poezia është cituar nga ambasadori amerikan. Tre vargjet ai i citoi nga anglishtja të përkthyera, por unë po them këto tre vargje në shqip: “Kemi shumë për të hedhur prapa/ Ashtu siç kemi shumë për të lindur/ Si nga agimet/ dhe nata/ Vjen drita papritur”. Ky është një mesazh shumë domethënës për Shqipërinë. Në vitet ‘90-‘91 unë kam marrë pjesë edhe në lëvizjen e parë demokratike dhe më bëhet qejfi ta them që mesazhi im poetik të përputhet edhe me ç’ka i duhet Shqipërisë Ne vijmë nga një kohë që duhet të hedhim shumë gjëra mbrapa, pasi kështu mund të ecim përpara, por kemi shumë për të bërë akoma. Ky ishte një mesazh që ishte kënaqësi ta dëgjoje.
Kjo poezi a është botuar në ndonjë libër?
Po është botuar në librin “E para fjalë e botës”, pastaj është përkthyer në disa gjuhë të huaja. Tani, në vëllimin tim të fundit nuk e kam futur. Falenderoj të gjithë ata që e duan letërsinë dhe poezinë shqipe. Është hera e parë që një ambasador amerikan përmend poetët shqiptarë dhe poezinë shqiptare. Duhen përmendur poetët. Ata janë bota e brendshme e njerëzve të thjeshtë. Duhen përmendur poetë si është Fatos Arapi, i cili mori Kurorën e Artë në festivalin e Strugës para një muaji. Dhe të vjen mirë kur në raste të tilla solemne përmenden poetët, ata që të gëzojnë shpirtin, por që duken të shpërfillur nga politika shqiptare. Por në fakt, nuk janë të shpërfillur nga lexuesi i vërtetë, intrelektualët, populli, bota e qytetëruar.
A janë artistët të shpërfillur nga vendimarrja?
Unë pikërisht jam e këtij mendimi, por bota e qytetëruar jo. Këtu fillon ai kufiri midis botës së qytetëruar dhe asaj të paqytetëruar. Sikur vetëm këtë mesazh të merrte politika shqiptare, përmendja e vargjeve të një poeteje ditën e ftesës në NATO, që e bëri ambasadori amerikan, por nuk i shkon ndër mend ta bëjë asnjë politikan shqiptar. Ato vargje i drejtoheshin politikës shqiptare, të hedhë sytë nga krijuesit, pasi ata janë vlerë kombëtare, janë ndërgjegja e kombit. Politikanët janë shumë të përkohshëm, poetët dhe shkrimtarët janë të përjetsshëm. Ky është një nga ato mësimet që ne duhet të marrim nga integrimi në NATO dhe në BE. Të mësojmë nga vendet perëndimore, respekti që ata kanë për krijuesit. Në bazament të jetës shpirtërore, të këtijë populli, është letërsia dhe arti. Dhe ky është mesazhi më i madh që i jepet popullit shqiptar, ose drejtpërdrejt politikanëve shqiptarë.
Pse mendoni se vjen kjo shpërfillje e shkrimtarëve dhe poetëve nga politika, kur dihet se ata janë paraprirës të mendimit njerëzor në të gjitha vendet?
Sigurisht që janë paraprirës. Ne tani u mësuam nga politika të flasim edhe pak për veten, dhe unë po them se kjo është një poezi që është shkruar para viteve ’90, por merr një kuptim në çdo moment. Mendoj që këto vite ashtëquajtura tranzicion, politika ka gabuar dhe do të vazhdojë të gabojë kur ajo ndan artin nga organizimi i përgjithshëm shoqëror. Arti është pjesë e ndërgjegjes kombëtare, është pjesë e koshiencës. Dhe, po të jesh pjesë e koshiencës është gjëja më e madhe, më ekzistenciale. T’i heqësh popullit artin, poezinë do të thotë t’i heqësh gjuhën shqipe dhe do të thotë të flasësh vetëm me gjuhën e shifrave, atëherë nuk do të kishte më qenie dhe ndërgjegjie shqiptare. Zoti është i të gjithëve, edhe dielli është i të gjithëve, edhe gjuha shqipe është e shqiptarëve.
Cfarë ka shkruar për herë të parë Natasha poezi apo prozë?
Para disa kohësh takova një mësuese të letërsisë që mbushte 90 vjeç (Unë kam mbaruar shkollën pedagogjike të Korçës) quhej Virxhinia Pepo që ishte e motra e një studiuesi dhe historiani të madh korçar, dhe për çudi më ka përmendur poezinë time të parë, që unë kisha varur në shkollën e mesme. Ajo shkollë nuk ekziston më tani.Ka qenë një poezi me titull: “ Mësueset e klasës së parë”.Ishte botimi im I parë në shkollë.U çudita që ajo mbante mend.Ajo nuk mbante mend vetëm poezinë time por edhe hartime të nxënësve të tjerë.Me një kujtesë fenomenale një mësuese 90-vjeçare.Bëhet fjalë për një poezi të viteve 1962 .Unë e kisha haruar edhe vetë. Korça ka pasur mësues të mirë që dilnin nga lice Francez.Unë kam takuar mësuesit e fundit të liceut frances.Kjo ngrohtësi dhe kjo mirëpritje e tyre të bënte që të shkruaje.Po ta konkretizoj edhe më shumë, unë poezinë e parë timen e kam botuar në gazetën DRITA e kam botuar në 26 janar të vitit 1964, dhe atëherë isha 16 vjece.Ka qenë mikëpritja e madhe tek mësuesit që unë vazhdova përsëri të shkruaj.Ismail Kadare dhe Dhimitër Xhuvani I morën poezitë e mia kur ende isha në Korcë.Në atë kohë nuk ka pasur televizion në Korçë, dhe gazeta Drita vinte një herë në javë në mes të dimrit dhe unë shihja të botuar poezitë e mia dhe pastaj fillonja të shkruanja, dhe atëherë gjeja një mbështetje .Këtë e them për rininë e sotëme, për poetët e sotëm që nuk kanë një mbështetje, dhe janë shumë të fortë që rezistojnë. Kjo etje për gjuhën, këngën dhe tingëllimin e gjuhës shqipe ndoshta na bëri neve të shkruanim.Tani mund të ketë talente të reja, poetë të rinj për të cilët nuk flet njeri, nuk gëzohet njeri, dhe nuk mendon njeri, kjo për mua është pak e trishtueshme.
Tashmë, ju jeni larguar përfundimisht nga politika?
Nuk largohem asnjëherë përfundimisht. Fjala përfundimisht nuk ekziston sepse unë kam mbaruar për gazetari dhe diploma ime është për gazetari. Më është e hequr e drejta e ushtrimit të profesionit tim në këtë fushë në vitin 1975-1976. Unë, këtë 13 maj mbusha 60 vjeç. Babai im është arrestuar më 27 maj të 1950-s, kur më la mua dy vjeç e gjysmë. Kjo gjë bëri që të humbja të drejtën për të punuar në media, pasi gazetari ishte gjithmonë afër pushtetit qëndror atë kohë.
E keni vuajtur shumë atë padrejtësi?
E vuaj më shumë sot, sepse nuk ia kisha treguar asnjeriut, dhe tani më duket e pamoralshme që ta tregoj.
Nëse Natasha Lako do të ishte e pushtetshme, ç’do të bënte?
Do bëja shumë gjëra. Po më përpara do të bëja një gjë të thjeshtë që e kisha menduar që kur isha deputete në ’91, që të vija tabela në të gjithë rrugët e Shqipërisë, për të treguar orientimet, sepse nuk është vetëm për orientim që kemi nevojë në jetë, por kjo tregon edhe një nga fazat e para të organizimit e të disiplinës.
Çfarë i mungon sot politikës shqiptare?
Sinqeriteti i mungon tërësisht.
Intervistoi Albert Zholi

12 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›