E Shtunë, 31 Tetor 2026

Centrali Bërthamor, qeveria harton ligjin

Ligji për energjinë bërthamore pritet që të kalojë së shpejti për miratim në Parlament
Në shkurt, pritet që në Tiranë të mbërrijë Drejtori Ligjor i Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore
Këshilltarja e Kryeministrit, Guxholli ka sqaruar se është duke u hartuar kuadri ligjor që parashikon krijimin e një Enti Rregullator të specializuar për energjinë bërthamore, ndërsa vendimi final për këtë investim do të përfshijë opinionin publik dhe forcat e ndryshme politike.
Pas deklaratave të një muaji më parë për ndërtimin e një Centrali Bërthamor në Shqipëri, kryeministri Berisha ka urdhëruar stafin e tij teknik, për të formuluar kuadrin e nevojshëm ligjor për realizimin e këtij investimi. Projektligji tashmë është duke marrë një formë përfundimtare dhe pritet që së shpejti të kalojë në Parlament. "Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka sjellë një draft për energjinë bërthamore, që është pothuajse i ngjashëm për të gjitha vende në botë dhe pas një përshtatjeje me legjislacionin shqiptar, ky draft pritet që të kalojë në Parlament për miratim",- tha Guxholli. Sipas Këshilltares së Kryeministrit, Suzana Guxholli, konkretizimi i një vepre të tillë kërkon vite. Koha më e mirë për realizimin e një investimi të tillë, pas krijimit të të gjithë kuadrit ligjor, pritet që të shkojë jo më pak se 5 vjet. Guxholli bën të ditur se centralet bërthamore që ndërtohen aktualisht, konsiderohen si të gjeneratës së katër, me një siguri maksimale, por gjithsesi mendimi i opinionit publik do të merret parasysh nëse një Central Bërthamor do të ofrohet për t'u ndërtuar në Shqipëri. Guxholli bën të ditur se, "në muajin shkurt pritet që në Tiranë të mbërrijë Drejtori Ligjor i Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore. Këshilltarja Ekonomike e Berishës, nga ana tjetër, sqaron se nëse vendi merr ftesën e anëtarësimit për në NATO, edhe siguria për ndërtimin e një vepre të tillë madhore rritet. Sipas Guxhollit, një investim i tillë mund të realizohet vetëm nga kompani private, duke pasur parasysh këtu edhe vlerën e madhe të fondeve që kërkohen si investim fillestar.
***
Ka qenë vetë kreu i qeverisë, që ka lançuar dhe mbrojtur idenë e një centrali bërthamor në Shqipëri. Berisha ka theksuar gjatë debateve të realizuara për këtë çështje se do të ishte e pafalshme për Shqipërinë, që të përjashtonte një burim të tillë energjie. Prodhimi i energjisë bërthamore, sipas kreut të qeverisë, është një mundësi e mirë për vendin, duke pasur parasysh edhe avantazhet krahasuese në kosto që jep kjo energji. Sipas Berishës, në qoftë se qeveria do të përjashtonte me paragjykim njërin nga burimet e energjisë më serioze, më të pastra dhe më të rëndësishme, më të fuqishme, siç është energjia nukleare, do të bënte një gabim të pafalshëm në strategjinë e saj energjitike. Hedhja e idesë nga qeveria për ndërtimin e një centrali bërthamor, vjen në një kohë që vend ka përjetuar një krizë energjetike, që ka zgjatur për 2 vjet dhe opozita e ka vlerësuar këtë opsion si demagogjinë e radhës. Por qeveria ka deklaruar se Shqipëria mund të kthehet në nyje energjitike të rajonit, në pozicionin gjeografik që ka.
***
Sipas specialistëve, një program civil nuklear nuk do të ndihmonte vetëm vendin tonë për të mbyllur deficitin energjitik, por do të ndihmonte që kjo energji të shkonte edhe në Itali, vend ky që ka shfaqur rezistencë ndaj projekteve për ndërtimin e impianteve nukleare. Referendumi i zhvilluar në vitin 1987, në Itali, solli në fuqi për 5 vjet moratoriumin për ndalimin e ndërtimit të një impianti bërthamor dhe asnjë qeveri më vonë, nuk ka kërkuar që ta propozojë sërish këtë çështje. Por ideja e një ndërtimi të një plani nuklear ka sjellë alarm në vendin fqinj, Greqinë. Investimet prej 2 miliardë euro për 2 linja kabllosh energjitikë që do lidhen me Italinë gjatë viteve në vazhdim, kanë shtuar zërat për ndërtimin e një centrali, që do përdorë energjinë bërthamore për ta kthyer në elektricitet. Idetë për investime të tilla mund të konkretizohen në një kohë afatgjatë, pasi edhe fondet për ngritjen e Centraleve Bërthamore janë të mëdha.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›