E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERE: KESH-i të rilidhë energjinë te TV A1

Vendimi
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) urdhëroi dje KESH-in që të rilidhë energjinë elektrike në studiot e Televizionit A1, në ambientet e ish-Kinostudios, pas shkëputjes së saj në 13 dhjetor 2007. Vendimi erdhi një javë pas zhvillimit të një seance dëgjimore mes përfaqësuesve të Televizionit dhe KESH-it. Në një letër që ERE i drejtoi dje z.Gjergji Bojaxhi, drejtor i Përgjithshëm i KESH-it, z.Bujar Nepravishta, Kryetar i ERE-s, deklaroi se faturimi i bërë nga KESH-i me faturë afrofe është i pabazuar në ligj, sepse ai lejohet vetëm kur matësi është jashtë kushtit teknik, ose i dëmtuar. Përsa i takon pasaktësisë në matjen e energjisë së konstatuar nga kontrolli i KESH-it, ERE vëren se, nga ana e KESH-it nuk është vepruar në përputhje me Kodin e Matjes, ku përcaktohet se kur konsumatori ka paguar më pak për shkak të gabimit në matje, atëherë ai detyrohet të paguajë vlerën e mbetur për 12 muajt e fundit.
Përsa i përket shumës së vendosur, ERE vërejti se ajo duhej të ishte negociuar me konsumatorin për mënyrën e shlyerjes së saj.
Për këto arsye ERE i kërkoi dje KESH-it, rilidhjen e furnizimit me energji elektrike të TV A1, rregullimet për pasaktësinë në aparatin e matjes të kufizohen vetëm në periudhën e fundit 12-mujore, ndërsa KESH-i dhe TV A1 të bien dakord për mënyrën e shlyerjes së vlerës.
ERE kishte ndërmjetësuar edhe herën e kaluar, në nëntor 2007, kur për tre javë pallati te ish-Blloku ishte lënë pa energji pas dëmtimit të kabinës elektrike, e cila ishte refuzuar për t'u marrë në dorëzim nga ana e KESH-it, që në vitin 2001.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›